Nga: John Kampfner / The Guardian (Titulli origjinal: If we want Vladimir Putin brought to justice, Nuremberg has much to teach us)
Javët e fundit mirë i kanë kaluar diktatorët si Vladimir Putini dhe populistët si Donald Trumpi. Një rrjedhje e dokumenteve të inteligjencës i ka ekspozuar sekretet shumë të klasifikuara të Ushtrisë amerikane, duke i dëmtuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë dhe duke i zbuluar dobësitë në mbrojtjen e Ukrainës. Ndërsa, aktpadia për ish-presidentin e ShBA-së – me akuzat për paratë e dhëna për ta fituar heshtjen e tjetrit – mund t’i ketë rritur shanset e tij për rizgjedhje. Pra, ka më shumë arsye – se zakonisht – për të pasur frikë nga qëndrueshmëria e demokracisë liberale.
Ashtu sikurse besimi që mund të bie, është e dobishme ta vizitosh Nurembergun për të kujtuar se për çfarë bëhet fjalë kur ne flasim për luftën. Ky qytet ishte shtëpia e vërtetë e Hitlerit. Ishte vendi ku nazistët i mbanin mitingjet e tyre vjetore dhe ku i shpallën ligjet e veta racore, duke e veçuar pastërtinë e gjakut arian nga ai i hebrenjve, duke e vënë në lëvizje Holokaustin.
Nuremberg gjithashtu mishëron diçka të mirë. Pallati i Drejtësi ishte vendi ku elita e Rajhut të Tretë u ndoq penalisht dhe u dënua pas një procesi gjyqësor që zgjati gati një vit, duke e vendosur një pikë referimi për ashpërsinë dhe drejtësinë në lidhje me trajtimin e të mundurve të një lufte.
Katër aleatët fitimtarë – SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik – për disa arsye e zgjodhën këtë qytet bavarez. Disa ishin pragmatikë: godina e gjykatës ishte e madhe; nuk ishte rëndë e bombarduar, ndërsa objektet përfshinin qelitë nga të cilat të akuzuarit mund të shoqëroheshin direkt – nëpërmjet një vendkalimi të mbyllur – drejt gjykatës. Por, më së shumti u zgjodh për shkak të simbolikës. Nga të gjitha vendet tjera, duhej të ishte Nurembergu.
Salla 600 e gjyqit, me panelet e drurit, qëndron si monument jo vetëm për turpin, por si një moment i jashtëzakonshëm kur bota u bashkua për ta ndjekur penalisht të keqen – jo në mënyrë bombastike, por metodike, ditë pas dite, me bankat e stenografëve që regjistrojnë çdo fjalë dhe me përkthyesit që përkthenin mes katër gjuhëve. Gjatë gjithë kohës, Hermann Göringu dhe nazistët e tjerë u ulën në bankën e të akuzuarve, duke buzëqeshur ose duke e ngulitur para shikimin kërcënues, teksa dëshmitarët e tmerruar dhe të traumatizuar i dhanë dëshmitë kundër tyre. Të çohen mornicat nëse ulesh në atë që ishte galeria publike dhe nëse sot e shikon.
Përkthejini të gjitha këto për ditët e sotme: imagjinojeni, vetëm për një moment, Putinin në bankën e të akuzuarve, por në vendndodhjen moderne – në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë.
Më 17 mars, disa ditë përpara se të vizitoja Nurembergun, ICC e lëshoi një urdhërarrest për presidentin rus. Kremlini u përgjigj duke deklaruar se çdo përpjekje për t’iu bindur ICC-së do të konsiderohet si akt lufte. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, u përgjigj se vendi i saj do ta dorëzonte atë.
Kjo natyrisht se është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Megjithatë, vetëm një numër i vogël vendesh kanë qenë po aq të qarta sa gjermanët në bërjen e qartë të synimeve të veta (teorike). Aktakuza e ICC-së i kufizon destinacionet që Putini në të ardhmen mund t’i vizitojë. A do të rrezikonte ai, për shembull, një udhëtim në Johanesburg, gjatë gushtit, për një samit të BRICS-it (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e Jugut)? Mund të qëndrojë mirë aty, pasi presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, e ka treguar simpatinë për Kremlinin. Putini madje mund të shkojë në Hungari – kryeministri autoritar i së cilës, Viktor Orbán, është jashtëzakonisht miqësor me të. Vendet e tjera janë të dyshimta.
ICC-ja po ecën para me këmbëngulje, megjithëse besueshmëria e saj vështirë se përforcohet nga pozicioni i ShBA-së. Amerikanët ndihmuan në krijimin e organizatës në vitin 1998, por nuk pranuan t’i bashkoheshin asaj, duke e kundërshtuar idenë që të gjykohen politikanët ose personeli i tyre ushtarak – diçka kjo e njohur – nga gjyqtarë e vendeve të tjera. Në mënyrë të pashmangshme, kjo armiqësi e arriti kulmin gjatë epokës së Trumpit. Në shtator të vitit 2020, Departamenti i Shtetit e nxori një urdhër ekzekutiv që vendos sanksione ndaj dy zyrtarëve të lartë të ICC-së, pasi gjykata njoftoi se po e heton ShBA-në dhe Izraelin për krime të mundshme të luftës në Afganistan, respektivisht në Bregun Perëndimor. Këto sanksione u hoqën shtatë muaj më vonë nga administrata e Bidenit, megjithëse vazhdon të pohojë se gjykatat e huaja nuk kanë juridiksion.
Është e dobishme ta kujtojmë rolin që amerikanët dhe rusët e luajtën në Nuremberg. Një ekspozitë e bashkangjitur në sallën e gjyqit, citon fjalimin hapës të gjyqtarit kryesor amerikan, Robert H Jackson: “Kurrë nuk duhet të harrojmë se procesverbali mbi të cilin i gjykojmë këta të pandehur, është dëshmia mbi të cilin historia nesër do të na gjykojë”. “Pavarësia dhe integriteti intelektual” i gjykatës, shtoi Jacksoni, “do ta dëshmojë veten te pasardhësit, me përmbushjen e aspiratave të njerëzimit për drejtësi”.
Është e dhimbshme nëse krahasohen me ditët e sotme fjalët e shqiptuara atëherë, me indiferencën e shpeshtë të kaq shumë vendeve – përfshirë ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar – me shpërfilljen ose kërcënimin përçmues të ligjit ndërkombëtar. Sa i përket qeverisë ruse, ajo vazhdoi të punojë ngushtë me Qendrën Përkujtimore të Nurembergut – deri te përkujtimi i 75-vjetorit të gjyqit, në nëntor 2020. Kontakti u ndërpre më pas nga të dy palët, më thanë zyrtarët, pas pushtimit të Ukrainës nga Putini.
Me rrugët me kalldrëm, me pellgjet dredha-dredha dhe shtëpitë me çati, Nurembergu është qytet i lashtë, i bukur dhe i tmerrshëm. Historia e saj ju ndjek nëpër çdo hap. Në aspektin fizik dhe psikologjik është rindërtuar pas luftës, duke mësuar se si duhet të merret me të kaluarën e vet, duke e riemërtuar veten si qytet i të drejtave të njeriut, dhe duke mbajtur forume të rregullta për luftën dhe për kriminalitetin. Teksa shmang ekuivalencën morale, kërkon të tërheq një vijë të drejtë mes nazistëve dhe krimeve të dekadave të mëvonshme, përfshirë Ruandën, Srebrenicën dhe vendet e tjera që kanë parë tmerrin. Autoritetet e qytetit kanë zhvilluar lidhje të ngushta me zyrtarët në Hagë. Ata këtë e quajnë si Ideja e Nurembergut.
Teksa endem pranë kafeneve të bukura, pranë trotuareve të qytetit, pyes veten nëse kjo i bën njerëzit të ndihen më mirë – pa e bërë një ndryshim të dukshëm. Amerikanët, në fund të fundit, do të vazhdojnë ta anashkalojnë dhe ta shmangin. Ndërkohë, Putini nuk ka gjasa ta ketë momentin e vet të Nurembergut. Diktatorët në mbarë botën gjenden në situata të favorshme.
Ndoshta argumenti duhet të vendoset në drejtimin tjetër. Gjyqet e Nurembergut nuk ishin aspak perfekte. Ndjekja penale e krimeve të luftës është aplikuar – që atëherë – në mënyrë jokonsistente, për ta thënë këtë në mënyrën më të butë. Megjithatë, Ideja e Nurembergut është ende atje, një flakë që drithëron, qoftë edhe dobët, paçka që të tjerët kërkojnë ta shuajnë. /Telegrafi/