Ditëve të fundit janë shtuar zërat se koalicionit qeverisës së shpejti do t’i bashkohet edhe partia e Kadri Veselit.
Një zyrtarizim i përfshirjes së PDK-së në qeverisje me LDK-në, AAK-në e Nismës, pritet të ndodhë shumë shpejt.
E lidhur me këto për Front Online, ka folur nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.
Ai tha se PDK-ja do ta voton Projektligjin e iniciuar nga Qeveria Hoti, vetëm nëse bëhen plotësimet të cilat i kanë kërkuar.
“Unë besoj se nëse behën plotësimet e nevojshme që i ka bërë PDK-ja dhe nëse harmonizohen besoj që PDK-ja asnjëherë nuk do të jetë pengesë për realizimin e interesave të qytetarëve të Kosovës pasi që tek e fundit janë votat e tyre që na kanë sjellur në Parlament dhe ne do të veprojmë në mënyrë të përgjegjshme karshi tyre”, tha ai për Front Online.
Ndërsa për përfshirjen e PDK-së në Qeveri, Totaj, tha se duke i pasur parasysh zhvillimet politike dhe skenën politike në të cilën është Kosova, do të pranojnë variante të ndryshme para se vendi të shkon në zgjedhje.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që PDK-ja t’i bashkohet koalicionit qeverisës.
“Deri me tani ne e kemi thënë se PDK e ka respektuar verdiktin e elektoratit të 6 tetorit prandaj ne e kuptojmë një sjellje të dinjitetshme të kryetarit Veseli kur ka thënë se ne jemi në opozitë, por zhvillimet dinamike dhe skena politike e cila është ashtu siç është ne asnjëherë nuk do të jemi ata që nuk do të japim kontributin tonë për stabilizimin e rrjedhave dhe ikjes se destabilizimit të gjendjes dhe qeverisjes, Tani jemi fleksibil dhe gjithmonë do jemi ata që do të eksplorojmë çdo variantë para se të shkojmë në zgjedhje, por le të theksojmë se zgjedhjeve në asnjë moment nuk iu ikim, por mendojmë se ato janë zgjedhja e fundit të cilën ne duhet ta bëjmë pasi që ti eksplorojmë mundësit tjera për dhënien e kontributit tonë”, tha ai për Front Online.
Nënkryetari i PDK-së tregon se a kanë biseduar për emrin e Presidentit
Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, tha se në parti asnjëherë nuk kanë diskutuar për emrin e Presidentit pas kalimit të mandatit të Thaçit.
“Emri i Presidentit nuk është diskutuar në PDK, por është e natyrshme që nëse bisedohet për koalicion është e palogjikshme që të mos bisedohet për postin e Presidentit, por deri më tani ne nuk kemi diskutuar për emra pasi që konsiderojmë se Kosova e ka presidentit i cili ka 6-7 muaj mandat dhe është irracionale të bisedohet për një post ku Presidentit është në detyrë”, tha ai për Front Online.
Totaj: Heqja e vijave të Kuqe nga LDK-ja pjekuri politike
Totaj foli edhe për vendimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, për heqjen e vijave të kuqe për PDK-në.
Ai tha se heqja e vijave të kuqe është pjekuri politike e LDK-së, pasi që siç tha ai, PDK-ja është energji politike në Kosovë dhe se proceset e mëdha nuk lëvizin pa të.
“Sa i përket heqjes së vijave të kuqe mendoj se është një reflektim nga LDK, kisha me quajt si një pjekuri politike nga LDK, pasi që e kanë parë se vendosja e vijave të kuqe për PDK-në është një vendim irracionale pasi që PDK-ja është një energji politike në Kosovë dhe pa energjinë e tillë proceset e mëdha nuk lëvizin, prandaj mendoj se kjo është një zhvillim pozitiv, ne asnjëherë nuk kemi pasur vija të kuqe për askënd por kemi vija të kuqe për dukuri negativ dhe ashtu duhet të mbeten”, deklaroi ai për Front Online.