Tash e një muaj qytetarët të cilët kanë aplikuar që të pajisen me letërnjoftim nuk kanë arritur ende të marrin atë.
Kjo si rezultat i mos furnizimit me material të nevojshëm, shkaku i pandemisë COVID-19.
Deri sa të rregullohet ky problem, qytetarët, mund të përdorin pasaportën valide të Republikës së Kosovës.
E për ata që as këtë dokument nuk e kanë është gjetur një zgjidhje tjetër.
Atyre tash e tutje do t`iu lëshohet ekstrakti me fotografi.
“Agjencia e Regjistrimit Civil, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, në pamundësi që qytetarët të pajisen me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, kanë autorizuar Zyrat e Gjendjes Civile, që në rastet kur qytetarët kërkojnë dokumente të gjendjes civile, respektivisht ekstrakt nga Regjistri Qendror i Gjendjes Civile, t’iu lëshohet ekstrakti me fotografi, apo siç njihet praktika e vjetër e lëshimit të ekstraktit me fotografi të palës, i cili është subjekt i të dhënave. Meqenëse, Agjencia e Regjistrimit Civil, aktualisht nuk ka mundësi t’i pajisë me kohë qytetarët me letërnjoftime për shkaqe të ndryshme teknike, kjo procedurë, do t’iu lehtësojë qytetarëve realizimin e disa të drejtave (kërkesave) të tyre brenda vendit”, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.
Me këtë problem janë ballafaquar edhe kandidatët për studentë në universitete.
Por edhe nga Minishtria e Arsimit dhe Shkencës kanë konfirmuar për IndeksOnline se mund të përdoret kjo praktikë.