
9 maji – Dita e Evropës, Kosovën edhe këtë vit e gjenë jashtë BE-së dhe pa liberalizim të vizave.
Ani pse se liberalizimi u premtua me muaj e me vjet nga liderë e parti politike, kjo nuk ka ndodhur ende.
Bashkimi Evropian për t’i liberalizuar vizat për Kosovën ka vendosur disa kritere, të cilat po konsiderohen si të plotësuara, por dritën jeshile pritet ta jep Këshilli i Ministrave.
Lidhur me këtë në një intervistë për portalin Front Online, ka folur drejtori i organizatës ÇOHU, Arton Demhasaj.
Ai tha se faji për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i dyanshëm si nga institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe nga Bashkimi Evropian.
“Po faji mund të jetë i dyanshëm për shkak se fillimisht kanë qenë institucionet tona të cilat nuk kanë qenë në kohë në plotësimin e kushteve që i ka përcaktuar Bashkimi Evropian. Fakti që disa institucione kanë deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe tash çështja ka shkuar te Këshilli i BE-së, atëherë në një mënyrë nuk po ndodh kjo pasi që nuk ka mirëkuptim mes vendeve anëtare se a duhet ta gëzoj Kosova liberalizimin e vizave”, tha ai për Front Online.
LEXO EDHE: Liberalizimi i vizave për Kosovën, i ndërlidhur edhe me idenë për korrigjimin e kufinjëve
Demhasaj tha se Kosova pavarësisht kushteve që i ka plotësuar për liberalizim të vizave të cilat kanë qenë më të rënda se të vendeve tjera, është duke u diskriminuar nga BE-ja me mosliberalizim të vizave.
“Nëse flasim për punë të diskriminimit ose izolimi duhet të analizojmë pak kushtet që i cakton BE-ja, nëse i shohim se cilat janë kushtet që i janë caktuar Kosovës, që Kosova me gëzu liberalizimin e vizave këto kushte i krahasojmë me disa vende të rajonit siç ka qenë Ukraina dhe Gjeorgjia i shohim se kushtet që i janë caktuar Kosovës kanë qenë më të rënda, edhe përkundër që kanë qenë të rënda Kosova i ka plotësuar të gjitha ato edhe përkundër kësaj Kosova akoma nuk po e gëzon liberalizimin, andej në këtë aspekt mund të themi se po në një mënyrë BE-ja po e diskriminon Kosovën në aspektin e liberalizimit të vizave edhe përkundër realizimit të gjitha kritereve”, tha ai për Front Online.
Liberalizimi i vizave për Kosovën, i ndërlidhur edhe me idenë për korrigjimin e kufinjëve
Ai tha se shtetet e BE-së janë ndarë në dy blloqe sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovës.
E kjo ndarje, sipas Demhasaj, mund të ketë ardhur pas qëndrimeve të ndryshme që ka pasur Franca, Austria, por edhe disa vende të tjera për korrigjimin e kufinjëve dhe çështjen e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Ky procesi i liberalizimit dhe kundërshtia e Francës me disa vende të tjera lidhet pak me procesin e dialogut që ka filluar dhe ka mbetur peng në Kosovë. Pra me gjasë edhe procesi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes finale madje mandej edhe ideja e korrigjimit të kufijve që ka pasur përkrahje të disa shteteve të BE-së siç është Austria dhe Franca mund të jetë një arsye se përse Franca dhe disa shtete të BE-së nuk po e përkrahin pra të drejtën e kosovareve me udhëtu pa viza”, u shpreh ai për Front Online.
Premtimin e liberalizimit të vizave nga liderët e parive politike, Demhasaj e ka quajtur popullist, për qëllime të fitimit të votave gjatë zgjedhjeve në Kosovë.
“Këto kanë qenë deklarime popullsite me qëllime të caktuara të fitimit të votave të qytetarët pasi që ne e dimë siç shkon procesi i liberalizmit të vizave, e dimë qysh në qeverinë Haradinaj janë plotësuar kriteret me votimin e demarkacionit pasi që ajo ka qenë pika e fundit dhe me votimin e tij është vërtetuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret”, tha tutje ai për Front Online.
Demhasaj: Kosova mos të “bie në gjumë”, ta luftojë korrupsionin
Njëra ndër kushtet që Bashkimi Evropian ia ka bërë Kosovës, për liberalizimin e vizave ka qenë luftimi i korrupsionit.
Në pyetjen se a e ka plotësuar këtë kriter Kosova, Demhasaj tha se me luftimin e korrupsionit përmes lëndëve të cilat i ka shenjëstruar BE-ja, konsiderohet si një kriter i plotësuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Çështja e luftimi të korrupsionit është një çështje proaktive që do të vazhdohet gjatë tërë kohës, mirëpo BE-ja atë kohë ka shënjestruar disa lëndë të korrupsionit të profilit të lartë dhe ato lëndë i ka përcjellë si po shqyrtohen dhe si po gjykohen dhe në kuadër të kësaj kriteri i luftimit të korrupsionit përmes lëndëve të shënjestruara që i ka vendos vet BE-ja konsiderohet se është plotësuar, por Kosova prej atij momenti nuk duhet të bie në gjumë dhe të mos bëjë luftë kundër korrupsionit, pasi që jemi një ndër vendet me shkallen më të lartë të korrupsionit në Evropë”, u shpreh Demhasaj.
Demhasaj tha se rastet e luftimit të korrupsionit të cilat janë ndërlidhur me liberalizimin vizave për Kosovën, në aspektin e përfundimit nuk kanë shkuar mirë, pasi që siç tha ai, asnjë rast i profilit të lartë nuk është dënuar me burg, por vetë me dënime më të ulëta.
“Disa prej tyre janë në proces, disa janë përfunduar disa me dënime relativisht të ulëta disa janë liruar të pafajshëm por në përgjithësi si proces nuk mund të themi se ka shkuar mirë në aspektin përfundimtar sepse nëse e analizojmë rrethanat e luftimit në Kosovë, pothuajse asnjë rast i profilit të lartë nuk është se ka përfunduar me dënim meritorë ndaj të akuzuarve”, tha ai.
“Prokuroria t’i hetoj tenderët në kohë pandemie”
Shumë institucione gjatë kohës sa Kosova po përballet me pandeminë e Coronavirusit kanë dhënë tenderë duke blerë mallra të ndryshme me çmime më të larta se sa shiten në treg.
Për një rast të tillë, i cili ka të bëjë me shpenzimet në ministrinë e Shëndetësisë, Front Online ka raportuar ditë më parë.
E lidhur me këtë, Demhasaj tha se nëse ka dyshime për gjëra të tilla, prokuroria duhet që t’i fillon hetimet, pasi që siç tha ai, 40 % e taksave të qytetarëve shpenzohen përmes procesit të tenderimit.
“Gjithmonë kur ka dyshime në secilin proces të tenderimit publik aty mund të ketë afër të mundshme korruptive siç është fryrje e çmimeve apo gjëra të tilla, automatikisht Prokuroria duhet me ndërhy me i marr materialet me hulumtuar dhe nëse shihet që ka elemente të veprave penale duhet të shkruan aktakuzë dhe të fillojë proceset gjyqësore pasi që paraja e taksapaguesve të Kosovës shpenzohet përmes procesit të tenderimit, vlera është diku rreth 40 %. Këtu është risku më i madhe i shpërfaqjes se korrupsionit”, tha Demhasaj për Front Online.
Sipas tij, fusha e prokurimit duhet të jetë fokus i prokurorive që rastet e tilla që kanë të bëjnë me tenderët t’i hetojnë, ngase siç tha ai aty mund të ketë afera korruptive.