Nga Jorgji Kote:
Mbas gati tre muaj tratativash, më 21 shtator u krijua kabineti i ri qeveritar i Francës me 39 ministra, ministra të deleguar dhe sekretarë shteti. Mirëpo, lehtësimi që ndihet në të tilla raste ia la vendin menjëherë shqetësimeve, pyetjeve dhe dyshimeve të shumta.
Krijimi i qeverisë së re ndërsa zgjidh një problem, krijon dhe paralajmëron telashe të tjera shumë më të mëdha; sepse kushtet, rrethanat, mënyra e formimit dhe sidomos përbërja e kësaj qeverie nuk është normale dhe nuk i përgjigjet realiteteve zgjedhore të krijuara në Francë muajt e fundit; ndaj kushdo, përfshirë presidentin Macron e ndjen veten me kokë në torbë.
Sepse, për herë të parë në historinë e Francës ka një qeveri pakice, por jo me opozitë të moderuar, por të kërcënuar nga partia e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar i Le Penit dhe Fronti i Ri i Bashkuar i kryesuar nga partia e ekstremit të majtë të Jean Luc Melenchonit bashkë me socialistët, komunistët dhe të Gjelbërit.
Ky udhëkryq në politikën franceze është pasojë e gafës së jetës të presidentit Macron. Mbas shuplakës së rëndë në zgjedhjet evropiane të datës 6-9 qershor, kur Rilindja e tij fitoi vetëm 14 kundrejt 31 për qind të Le Penit, ai shpalli me ngut të pakuptimtë zgjedhjet e përkohshme më 30 qershor.
Raundi i dytë i atyre zgjedhjeve më 7 korrik përfundoi me fitoren e frontit të majtë me 182 vende, i ndjekur nga Aleanca centriste e Macronit me 168 vende, ose dy herë më pak se në zgjedhjet e mëparshme. Falë një marrëveshje të saj me Frontin e Ri të Bashkuar, ndryshe nga parashikimet për të fituar shumicën absolute, Tubimi Kombëtar u rendit i treti me 145 vende, gjithsesi rezultati i saj më i lartë historik.
Për pasojë, u krijua një rebus i ngatërruar politik, sepse asnjë nga këto parti nuk mund të krijonte qeveri e vetme, kur dhe mundësia për koalicione ishte e pamundur, për shkak të pozicioneve dhe qëndrimeve të tyre të papajtueshme ideologjike.
Kështu, ndonëse votat në Parlament të Frontit të Ri Popullor dhe Aleancës centriste Bashkë dilnin dhe tepronin, në praktikë kjo ishte e pamundur. Sepse, Fronti u krijua thjesht dhe vetëm për të mposhtur Tubimin. Por, të bësh qeveri me ta dhe me qendrën është vërtet si të bësh “stan me lepuj“! Sepse dhe vetë aleatët brenda tij kanë dallime parimore të papajtueshme si në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.
Kështu, radikalët e majtë të Melenchonit janë anti-BE, anti-NATO, anti-gjermanë, dhe anti-semitistë, sikurse janë dhe tejet të rezervuar për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe distancimin ndaj Rusisë. Dhe, më i vështirë, për të mos thënë i pamundur është bashkëpunimi i tyre, i socialistëve dhe të Gjelbërve me makronistët.
Për pasojë, i vetmi jelek shpëtimi për Macronin mbetej bashkëjetesa me Partinë Republikane, ndonëse deri dje ajo nuk pranonte të hynte në koalicion. Kjo “bashkëjetesë” po bëhet me një parti e cila ka vetëm 6,5 për qind të votave ose 46 vende në Parlament.
Veç kësaj, mospranimi i kandidaturave të tyre për kryeministër nga ana e Macronit i ka acaruar dhe më tej marrëdhëniet ndërmjet tyre, ashtu sikurse dhe krijimi i qeverisë së re me prirje nga e djathta dhe jo nga e majta apo qendra, siç kishte premtuar Macroni. Ndaj, tani Francës dhe Macronit do t’u duhet vërtet të shkelin në shtigje të paçelura.
Kësisoj, për të dalë qoftë dhe përkohësisht nga kjo gjendje pa shpresë, Makronit i mbetej vetëm varianti i një qeverie pakice, edhe pse ai e fut Francën në rrugë të panjohura dhe të pasigurta. Për pasojë, Macroni dhe kryeministri Barnier do të jenë të detyruar të hyjnë në lloj-lloj kombinacionesh partiake dhe politike, sa majtas aq dhe djathtas, për të siguruar shumicën e nevojshme për një ligj, veprim dhe dekret, me shumë mundime, kosto dhe sakrifica politike. Për pasojë, në Francë kemi një president të shfuqizuar dhe një kryeministër të pafuqishëm!
Nisur nga sa sipër, në debatet politike dhe në median franceze dhe të huaj me të drejtë qortohet dhe fshikullohet ngutja e pajustifikueshme e presidentit Macron për shpalljen brenda natës të zgjedhjeve të parakohshme.
Pavarësisht nga dushi i ftohtë në zgjedhjet evropiane, ai duhej të priste të ftoheshin gjakrat, të bëheshin analizat e duhura, konsultime me aktorët kryesorë politikë dhe paraardhësit e tij, të gjendeshin figura të reja bindëse politike, të nxirreshin mësime nga pësimet për të shmangur të papriturat dhe pastaj mund të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme e jo siç bëri Macron “flakë për flakë”!
Aq më tepër se ngjitja e ekstremit të djathtë/majtë është produkt i akumulimit mbi 20-vjeçar të dështimeve të shumta të socialistëve dhe konservatorëve tradicionalë francezë.
Kapakun ia vuri Macroni i cili, siç dihet grumbulloi dhe kanalizoi zhgënjimin e socialistëve dhe të republikanëve të rrënuar me idenë e një Francë as të majtë as të djathtë.
Mirëpo, brenda vendit, në vend që me rehatinë politike që i jepte shumica absolute të zbuste zhgënjimet masive dhe të forconte kohezionin politik, social dhe ekonomik mbas traumave të mëdha ekonomike dhe sociale, Macroni bëri të kundërtën, duke dalë jashtë çdo realiteti; ai ndërmori me ngut disa reforma të drejta në parim, por libreske dhe jo popullore; ato krijuan reagime të fuqishme negative, të cilat ia njollosën autoritetin Presidencës së tij derisa jelekverdhët dhe fermerët tronditën seriozisht stabilitetin e vendit.
Përfundimisht, macronizimi i Francës po shkonte drejt dështimit të paralajmëruar, ndërsa Tubimi Kombëtar bashkë me majtistët e Melenchonit i shfrytëzuan këto dështime dhe dobësi të akumuluara, duke forcuar pozitat e tyre politike dhe zgjedhore në dëm të forcave të moderuara. Natyrisht, të inkurajuara dhe nga fitorja e Trumpit më 2017, rritja e forcave ekstremiste në Gjermani, Austri, Itali, Suedi dhe gjetkë.
Shqetësimi i dytë madhor është se tani Franca ka një qeveri pakice, e cila nuk është përfaqësuese; ajo nuk pasqyron vullnetin e shumicës së zgjedhësve francezë të zhgënjyer, të cilët e shohin veten në pozitat e humbësit. Konkretisht, nga 289 vende që janë shumica absolute, republikanët dhe rilindësit e Macronit kanë vetëm 219 vende.
Republikanët me 46 vende në Parlament kanë 10 ministra. Pjesa tjetër i takon Rilindjes së Macronit me aleatët e saj të vegjël, ndonëse janë partia e renditur e dyta në zgjedhjet e 7 korrikut. Kësisoj, qeveria do të jetë vazhdimisht nën mëshirën e humorit të ekstremit të djathtë dhe të majtë që ndodhen në pozita shumë komode politike, duke luajtur dhe gjuajtur gabimet qeveritare. Pa folur për malin me gropa, të dosjeve dhe problemeve të nxehta sociale dhe ekonomike, sidomos borxheve kolosale që ulërinë për zgjidhje.
Për pasojë, nga një president i plotfuqishëm, që në këto gjashtë vjet ka diktuar me shumicë absolute me partinë e tij si një mbret republikan, nga pretendimi për t’u bërë pajtues dhe bashkues i madh, tani Macroni shihet më shumë si përçarës i shoqërisë franceze. Të gjitha komentet dhe analizat bashkohen në një pikë: Macroni nuk i realizoi premtimet!
Këto problematika dhe shqetësime e zbehin dhe pikën më të fortë në qeverinë e re, që është kryeministri 73-vjeçar republikan, Michel Barnier, ish-komisioner i mirënjohur i BE-së dhe kryenegociatori i saj për BREXIT-in. Kjo nga frika se edhe ai, ashtu si kolegu i tij Mario Drgahi në Itali, vështirë se do t’i shpëtojë tehut të mprehtë të opozitës; ndaj, Barnieri po lëviz nëpër një tel tejet të hollë ekuilibri midis këtyre dy ekstremeve dhe centristëve të Macronit. Ai u ka kërkuar ministrave që të jenë të hapur dhe ndaj të dy ekstremeve, duke matur e peshuar çdo fjalë që thonë në publik. E megjithatë, krisjet kanë filluar të dëgjohen qysh tani.
Ndonëse fillimisht dy blloqet kryesore partiake kishin dhënë pëlqimin në parim për mbështetje në Parlament, edhe pse nuk kanë pranuar te jenë pjesë e qeverisë, gjakrat kanë filluar të nxehen. Si Le Peni edhe Melenchoni janë prononcuar ashpër se shumë shpejt do të kërkojnë votëbesim për qeverinë.
Kështu, kur të bjerë kjo qeveri, e bashkë me të dhe presidenti, çka mendohet se nuk do të vonojë, do t’i i çelet rruga zgjedhjeve të reja të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, të cilat Tubimi dhe Fronti mezi i presin, me besimin për fitore.
Mirëpo, dhe në këtë rast, pyetja shtrohet nëse do të jenë në gjendje, veç e veç të sigurojnë shumicën e nevojshme parlamentare. Ndryshe, Franca mund të rrezikohet të bëhet e paqeverisshme në kuptimin demokratik të fjalës për një kohë të pacaktuar dhe me shumë pasoja të mëdha evropiane dhe më gjerë.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve negative, jo më i mirë dhe më i fortë pritet të jetë roli, pozita dhe ndikimi i Francës dhe presidentit Macron në politikën e jashtme. Sapo erdhi në Elize në maj 2017, ai shpresoi gabimisht se me një gjeopolitikë të suksesshme, jo vetëm do të bënte zërin e Francës të dëgjohej më larg e më fort, por kjo do të ndikonte dhe në përmirësimin e gjendjes brenda vendit. Ishte gjykim i gabuar se pa qenë mirë brenda, nuk mund të jesh mirë as jashtë, se nuk ke besueshmërinë e duhur dhe “nuk ta var” njeri!
Me një imazh copë-copë të tijin dhe të qeverisë, tani vështirë se do ta marrë seriozisht ndonjë lider tjetër i huaj këto më pak se tre vite që i kanë mbetur, nëse nuk do të detyrohet të dorëhiqet dhe më përpara deri në një zgjidhje të re politike me zgjedhje të reja.
Duke filluar nga aleati më i ngushtë gjerman, i cili qysh tani duket se e ka lënë në baltë sepse dhe vetë Scholz, një vit përpara zgjedhjeve është në pozitat e tij më të dobëta historike, aq sa nuk dihet nëse do jetë kandidat për kancelar!
Natyrisht, kjo gjendje do të ndikojë dhe në dobësimin e ndjeshëm të efektivitetit të boshtit apo motorit historik gjermano-francez të BE-së, një aktor dhe faktor i pazëvendësueshëm me asnjë binom tjetër gjeopolitik, sidomos tani kur Evropa ka më shumë nevojë.
Ndikime do të ketë dhe në marrëdhëniet franceze me “të mëdhenj“ të tjerë gjeopolitikë, sidomos me ShBA-në, Turqinë, Italinë, me NATO-n, në politikën me Kinën, Rusinë e Putinit dhe agresionin e saj kundër Ukrainës, si dhe palët ndërluftuese në Lindjen e Mesme, Afrikë ku roli dhe ndikimi i saj vitet e fundit ka ardhur duke u rrudhur ndjeshëm.
Dobësimi francez do të ketë ndikim dhe më të madh në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në secilin vend të tij. Ca më tepër se qysh në fillimet e presidencës së tij Macroni e “nisi ters” duke penguar çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pesë vjet më parë; ai është dhe shkaktari dhe nxitësi i strategjisë së re të zgjerimit evropian, e cila siç dihet e super vështirësoi anëtarësimin e shpejtë në BE. Ndonëse u detyrua ta ndryshojë qëndrimin e tij më vonë, dëmi ndaj nesh ishte bërë.
As roli francez dhe i Macronit në dialogun Serbi-Kosovë nuk i dha pritshmëritë e shumta; madje, ai u kompromentua për shkak të diplomacisë së gabuar qetësuese dhe përkëdhelëse, duke e trajtuar Beogradin “si të nënës“ me “kulaç“ dhe diplomacisë ndëshkuese dhe “kërbaçit“ ndaj Prishtinës, duke e mbajtur atë “si të njerkës“, përfshirë së fundi dhe refuzimin francez për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Krahas të tjerash, kjo uli dhe profilin e modelit franko-gjerman dhe praninë e dobët franceze në Procesin e Berlinit.
Ndërkohë, mbasi dështoi me vizionet e tij të shpalosura në Lisbonë dhe Strasburg për një Evropë me tre korsi apo rrathëkoncentrikë, Macroni në ditën e Evropës më 9 maj 2022 doli me “shpikjen“ e radhës – krijimin e Komunitetit Politik Evropian (KPE). Me shpresën se kështu do të “qetësonte dhe shpirtrat e trazuar“ ballkanikë.
Mirëpo, tani, as dy vite më vonë, KPE-ja nuk është as në qiell dhe as në tokë. Me një bilanc mjeran, vetëm me katër samite simbolike, pa instancë drejtuese, pa agjendë, pa ide dhe vizione, pa të ardhme. Praktikisht, KPE-ja është katandisur në një samit sëetitës ose ambulant dhe thjesht në një mundësi për vende të vogla dhe si i yni për të mikpritur samite simbolike ku ka thjesht marketing politik, por asgjë më shumë.
Përfundimisht, veç Francës, macronizimi dështoi keq dhe në Evropë dhe më gjerë. Ky nuk është lajm i mirë, mbasi bëhet fjalë për një nga shtatë vendet më të zhvilluara dhe demokratike të botës, anëtar i Përhershëm i KS të OKB-së dhe fuqi e madhe bërthamore. Ndaj, gazetarja gjermane e njohur Martina Meister e krahason listën e kabinetit të ri qeveritar francez me një një këngë trishtimi për planet e dështuara të makronizmit. /Gazeta “Panorama”/