Kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny pohoi se ishte helmuar duke kërkuar nga Moska që t’ia kthente rrobat që kishte veshur ditën kur u helmua pasi që aty gjenden “provat kryesore”.
“Para se të transportohesha drejt Gjermanisë, ata më hoqën rrobat dhe më dërguan krejtësisht të zhveshur. Duke qenë se në trupin tim ishte gjetur helm dhe se një infeksion kontakti ishte i mundur, rrobat janë provë materiale shumë e rëndësishme”, pohoi Navalny ndërsa shërohet në një spital të Berlinit, raporton CNN.
“Unë po kërkoj që rrobat të paketohen me kujdes në një qese plastike dhe të kthehen tek unë,” shtoi udhëheqësi i opozitës, një kritik i Kremlinit, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë se Navalny, i cili u sëmur gjatë një fluturim për në Rusi më 20 gusht, u shtrua në një spital në Siberi dhe më pas u transportua në Gjermani, ku u zbulua se ishte helmuar nga një helm noviçok, një helm nervor i prodhuar nga ekspertët sovjetikë për qëllime ushtarake.
Moska e ka përjashtuar atë mundësi, përkundër përfundimeve laboratorike gjermane, franceze dhe suedeze.
Ndryshe, bashkëpunëtorë e ngushtë të Navalnyt thanë se gjurmët e helmit janë zbuluar në një shishe uji të gjetur në dhomën e hotelit ku qëndronte politikani rus.