Nga Jorgji Kote
Njihet tashmë dilema hamletiane e Shekspirit, “të jesh apo të mos jesh”! Mirëpo, pas 24 shkurtit 2022 ka lindur një dilemë tjetër shumë më e madhe, e cila përshkoi nga fillimi deri në fund Samitin e NATO-s në Vilnius më 11-12 Korrik: të jetë apo të mos jetë Ukraina në NATO? Dhe, nëse po, tani, nesër apo kur?
Ndaj, me të drejtë kjo dilemë e jashtëzakonshme u diskutua gjerësisht, duke u mishëruar dhe në Deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Vilnius. Edhe pse përgjigja për këtë dilemë “hamletiane” gjeostrategjike nuk ishte ajo çka priste Ukraina dhe simotrat e saj, Vilniusi shënoi një hap vërtet historik teksa përmendi për herë të parë “ftesën” për anëtarësim, kur të jenë dakord të gjithë dhe kur të jenë plotësuar të gjitha kushtet e duhura.
Po ashtu, në Vilnius u miratua dhe më 12 korrik u mblodh nën kryesimin e presidentit Zelenski dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Këshilli i sapokrijuar NATO-Ukrainë, forumi më i lartë këshillimor dhe i krizës për të dyja palët. Ndërkohë, NATO hoqi dhe kërkesën për zbatimin nga Ukraina të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), çka shkurton procedurat dhe përshpejton procesin në fjalë, sapo të jenë krijuar kushtet e tjera.
Këta komponentë themelorë marrin rëndësi të veçantë mbasi aleanca perëndimore dhe Ukraina ndodhen në një moment epokal të rezistencës dhe fitores së vlerave dhe parimeve më të mira njerëzore, mbi 500 ditë pas invazionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës. Kur ajo, ndonëse ishte menduar bukë e djathtë dhe ekskursion deri në Kiev, po e tregon veten kockë e fortë që i ka ngecur në fyt Putinit!
Natyrisht që anëtarësimi i Ukrainës tani, kur lufta vazhdon nuk ka kuptim, mbasi sipas Nenit 5, NATO mund të përfshihej në luftë me Rusinë, çka do të kishte pasoja të paparashikueshme tragjike për paqen dhe sigurinë në botë.
Ndaj diskutimet që u bënë e që do të vijojnë post Vilniusit, lidhen me pranimin e Ukrainës në NATO sa më shpejt të jetë e mundur pas përfundimit të luftës me fitore ose një armëpushimi të qëndrueshëm. Në fakt, Vilniusi shkoi shumë më larg se Bukureshti 15 vite më parë, ku Ukrainës i dha të drejtën në parim që të ishte në NATO, por pa ndonjë indikacion konkret me data dhe hapa. Ndaj dhe qëndrimi perëndimor deri më 24 shkurt 2022 ishte tërhiq e mos e këput, aq sa dukej se ky anëtarësim nuk do të ndodhte kurrë!
Kjo kryesisht për faj të fuqive perëndimore, sidomos Gjermanisë, Francës etj. të cilat mendonin se Ukraina në NATO do të kalonte “vijën e kuqe” ruse, do ta provokonte atë duke ndezur një konflikt të përbotshëm.
Në fakt, në themel të këtij hezitimi gjeopolitik qëndronte politika qetësuese (appeasement policy) që ndoqi BE dhe NATO ndaj Rusisë, e sidomos lidershipi gjerman dhe ish-kancelarja Merkel; nisur nga mendimi i gabuar se me bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, me politika qetësuese e jo shtrëngues, ariu rus do të zbutej, Putini do të bëhej djalë i mirë, ai do ta ingranonte Rusinë në arkitekturën e politike perëndimore dhe për pasojë nuk do të ishte kërcënim për paqen dhe sigurinë. Dihen pasojat e rënda të kësaj politike të dështuar, që çoi dhe në varësinë e jashtëzakonshme ekonomike të disa vendeve perëndimore nga Rusia dhe Kina, të cilat i kemi shtjelluar hollësisht në shkrime të mëparshme. Për pasojë, dividentin e paqes me Rusinë tani Evropa po e paguan si frëngu pulën.
Ç’është më e keqja, ndonëse Perëndimi dhe Ukraina nuk e kaluan vijën e kuqe të imponuar nga Rusia, kjo e fundit, ende pa i u tharë boja Deklaratës së Samitit të Bukureshtit, sulmoi Gjeorgjinë, aneksoi Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, duke i kthyer në “konflikte të ngrira”. Fatkeqësisht, Perëndimi nuk nxori mësimet e duhura as më 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë, derisa më 24 shkurt 2022 Rusia ndërmori agresionin e egër ushtarak ndaj Ukrainës, çka më në fund i nxori bojën politikës qetësuese perëndimore, sidomos asaj gjermane.
Gjithsesi, edhe gjatë Samitit në Vilnius u shfaq sërish një tërheqje, drojë dhe kujdes se mos kalohet vija e kuqe për Rusinë. Sipas disa ekspertëve, nëse Ukraina do të aderonte tani apo qoftë dhe duke i bërë ftesën për anëtarësim në NATO, Putini nuk do të kishte më motiv dhe stimul për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për një paqe/armëpushim të mundshëm. Në fakt, dhe demarshet me misionet e deritanishme të paqes me Moskën, kanë treguar qartë se Putini nuk interes për paqe të vërtetë; përkundrazi, ai kërkon paqe alla ruse, d.m.th. duke mbajtur territoret e pushtuara ukrainase dhe që Kievi të qëndrojë larg NATO-s; për pasojë, nëse do të pranoheshin këto kushte, atëherë kjo nuk do të ishte paqe, por nënshtrim dhe kapitullim për Kievin! Dhe, në Vilnius u theksua qartë se paqe të vërtetë do të ketë vetëm kur Putini tërhiqet pa kushte dhe me garancitë për paqe dhe siguri.
Nga ana tjetër, nëse Ukraina nuk do të pranohej në NATO pas lufte, ose nuk do të merrte një ftesë/premtim nga NATO për anëtarësim menjëherë pas përfundimit të saj, kjo do të mbante me shpresa Putinin për sulme të mëtejshme dhe për ta shtënë me çdo kusht në dorë Ukrainën. Për pasojë, kjo e fundit do të kthehej në një zonë gri dhe konflikt të ngrirë. Ndaj ekspertë dhe politikanë të njohur, ku shquhet ish-ministri i Shtetit dhe zëdhënësi i social-demokratëve gjermanë, Michail Roth, shkojnë deri aty sa të përkrahin propozimin që Ukraina të pranohet qysh tani në NATO, me territoret e veta të lira. Me kusht, që të mos kërkojë zbatimin e Nenit 5 të mbrojtjes kolektive të NATO-s. Kjo, sipas tyre është dhe në interesin e BE-së, sepse kështu ajo do t’i ketë më të sigurt e të mbrojtur kufijtë dhe krahët e saj lindorë, sidomos tani që në NATO janë praktikisht dhe Suedia me Finlandën.
Ideja e anëtarësimit sa më të shpejtë të saj mbështetet dhe në mendimin tjetër të arsyeshëm që dhe nëse bie Putini, pasardhësit e tij prapë nuk do ta lenë rehat Ukrainën e cila do të vijojë të jetë në shënjestrën e objektivit të tyre. Ja, shihni zëvendësin e Putinit, ish-presidentin Medvedev, i cili ndonëse me naivitet të madh politik konsiderohej moderator dhe reformator, në fakt po tregohet më i ashpër se vetë ustai i tij! Për pasojë, pa një premtim ose ftesë konkrete për anëtarësimin në NATO, rreziku për Ukrainën do të ishte aty pavarësisht nga garancitë perëndimore për mbrojtjen e saj. Por, sipas kundërshtarëve të saj, kjo ide është thikë me dy presa, mbasi do ta nxiste Putinin të vijonte pa fund me agresionin, në mënyrë që pjesët e pushtuara të mos ia kthente asnjëherë Ukrainës.
Ndryshe do të ishte puna nëse NATO në Vilnius do të shpallte se menjëherë pas përfundimit të luftës, siç shprehet dhe kryetari i Konferencës së Sigurisë së Munihut, C. Heusgen, Ukraina të anëtarësohej me procedura të përshpejtuara në NATO. Atëherë, Putini dhe të tjerët pas tij nuk do të kishin nga t’ia mbanin më, sepse nuk mund t’i bihet murit me kokë, sidomos atij të NATO-s!
Mirëpo, kjo nuk u arrit dot në Vilnius, kryesisht për shkak të kundërshtimit nga Gjermania dhe sidomos SHBA-të, të cilat në fund ta fundit mbajnë mbi supet e tyre përgjegjësinë më të madhe të NATO-s në çdo aspekt! Ky realitet është pasqyruar edhe në dokumentin strategjik prej 4400 faqesh mbi reagimin e NATO-s në rastin e një sulmi të mundshëm nga Rusia, që u miratua në këtë Samit.
Kështu, vijmë natyrshëm te çështja e dytë madhore gjeopolitike që merr dhe më shumë rëndësi në kushtet e shtyrjes së anëtarësimit në NATO – garancitë e nevojshme të sigurisë për Ukrainën. Vilniusi mirëpriti idenë e Presidentit Biden për zbatimin dhe në rastin e Ukrainës të modelit izraelit me garancitë dhe mbështetjen amerikane për mbrojtjen. Mbi këtë bazë, ShBA-ja ia jep çdo vit Izraelit 3,5 miliardë euro ndihma për modernizimin e armatimit dhe teknikës ushtarake.
Në këtë drejtim, padyshim arritje e madhe e këtij Samiti ishte deklarata e G7-shit e njoftuar më 12 korrik në Vilnius nga Presidenti amerikan Joe Biden, mbi dhënien e garancive për sigurinë Ukrainase, për ta ndihmuar në luftën e saj ndaj ofensivës ruse në ajër, në tokë dhe në det dhe për dekurajimin e Rusisë nga çdo sulm tjetër kundër Ukrainës në të ardhmen. Ky grupim mbështetës me shtatë vendet më të fuqishme dhe më demokratike të botës është garancia më e madhe për sigurinë, mbrojtjen dhe fitoren e Ukrainës. Po ashtu, në Vilnius u shpall krijimi i një koalicioni tjetër me 11 shtete, të cilat do të marrin përsipër trajnimin e pilotëve ukrainas për përdorimin e aeroplanëve ushtarakë F16 që do t’i livrohen Ukrainës.
Përfundimisht, opsioni me i mirë dhe më i pranueshëm, siç tregoi dhe Samiti në Vilnius është kombinimi i garancive të lartpërmendura mbrojtëse dhe vazhdimi i mbështetjes perëndimore me armatime për Ukrainën deri në fitore dhe pas mbarimi të luftës, anëtarësimi sa më shpejt në NATO, natyrisht me plotësimin e kushteve dhe kërkesave përkatëse politike, demokratike dhe ushtarake.
Ndërkohë, duke qenë se në lojë tani është vetë NATO, forca, efektiviteti dhe besueshmëria e saj, tashmë nga të 32 vendet anëtare bashkë me Suedinë që do të pranohet zyrtarisht në tetor kërkohet dhe po veprohet për shtimin e kontributeve financiare për NATON dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse. Së pari, realizimi i objektivit që më 2024 secili vend anëtar i NATO-s të japë dy për qind të GDP-së për NATO-n, veçse tani ky objektiv i parë si minimumi, ca më tepër kur vende të mëdha si Gjermania janë ende larg realizimit të këtij objektivi. Kështu, Gjermania është ende 1,5 për qind, por ky 0,5 për qind do të thotë miliarda euro më pak; ajo ende nuk e ka krijuar fondin e garancisë mbrojtëse prej 100 miliardë euro; ndërkohë, po shtrohet nevoja e krijimit të Aleancës Perëndimore të avionëve luftarakë F16, çka do të intensifikonte ndjeshëm forcën goditëse ukrainase etj.
Së fundi, shumë e rëndësishme, Samiti i Vilniusit, që ndodhet vetëm 36 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë dhe as 200 kilometra larg Rusisë, ishte padyshim një demonstrim i madh i forcës sfiduese së NATO-s ndaj kësaj të fundit që t’i thërrasë mendjes. Mirëpo, problemi tjetër i madh dhe jo i lehtë krahas aspektit ushtarak është se Ukrainës dhe vendeve anëtare të NATO-s, rreziku nuk i vjen vetëm nga Rusia apo Kina. Madje, fakte dhe dukuri të shumta po tregojnë dita ditës se të keqen më të madhe dhe vetë vendet e Aleancës e të BE-së e kanë nga brenda me problemet, vështirësitë dhe dështimet jo të pakta në fushën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Këto rreziqe po kthehen në kërcënime të vërteta dhe shumë të vështira për t’u përballuar, kur Rusia dhe Kina u fryjnë atyre, në përpjekje për ta marrë kalanë nga brenda. Populizmi, ekstremizmi, dhuna, përçarjet në ShBA, Francë, Gjermani, Itali, kudo në Evropë, duke përfshirë problemet dhe tensionet e mëdha dhe në Ballkan, ku demokracia dhe integrimi euroatlantik janë zbehur ndjeshëm sepse nuk rezultuan siç shpresohej kura magjike e sëmundjeve Ballkanike. Ca më tepër, kur regjimet okulte autoritariste po i shfrytëzojnë krizat, epidemitë, tërmetet dhe luftërat për të shkëputur vëmendjen publike nga bëmat e tyre të brendshme, duke futur në lojë realpolitikën me interesat e saj të çastit, në dëm të demokracisë dhe fatkeqësisht pse të mos e themi, me bekimin e BE-së dhe ShBA-së. Ndaj, Vilniusi do të duhet të plotësohet më tej me programe dhe procese të tjera jetike në kuadrin e BE-së, OSBE-së, Procesit të Berlinit etj. Ja, pse Samiti i Vilniusit, ndër më të rëndësishmit në historikun 74 vjeçar të NATO-s është për NATO-n, Ukrainën dhe gjithë aleancën perëndimore moment madhor reflektimi.