×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa i shkon deri në fund: Vjosa është kopje e Kurtit, na i humbi zgjedhjet

    FrontOnline
    06 Tetor 2020

    Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tashmë s’është duke kursyer kritikat dhe akuzat ndaj partisë dhe bashkëpartiakëve të saj, njëjtë siç nuk kishte kursyer përqafimet kur ia kishin dhënë besimin që të kandidonte për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

    Osmani e cila është shkarkuar nga dy pozitat që mbante në LDK për shkak të afërsisë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë sot se partia që drejton Isa Mustafa ka përdhosur vullnetin e 6 tetorit, derisa për vete thotë se është në anën e qytetarëve.

    E kreu i LDK’së në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express u ka dhënë përgjigje të gjitha kritikave të Vjosa Osmanit, duke theksuar se s’është përdhosur vullneti i 6 tetorit por vetëm i atyre që morën besimin e LDK’së dhe punuan për parti të tjera të cilat janë dëshmuar se janë kundër frymës rugoviane.

    “Nuk është përdhosur vullneti i qytetarëve i 6 tetorit të vitit të kaluar , por është përdhosur vullneti i atyre që kanë garuar dhe janë mbështetur nga LDK, kurse kanë mbajtur dhe mbajnë anën e partive tjera, që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në dhe me frymën rugoviane por po dëshmohen se janë e kundërta e kësaj fryme”, ka thënë Mustafa.

    Ish-kryeministri ka thënë se Vjosa Osmani gjatë fushatës ka kopjuar Albin Kurtin dhe ia ka humbur LDK’së zgjedhjet, meqë në hyrje të fushatës zgjedhore, LDK-ja ka qenë 6 % para Lëvizjes Vetëvendosje.

    Mustafa thotë se duke parë një gjë të tillë, qytetarët kishin vendosur të përkrahin origjinalin e një politike të tillë, Albin Kurtin, dhe jo Vjosa Osmanin si kopje.

    “LDK e ka kandiduar znj Osmani për Kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyre në fushatë LDK, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK të bëhet Vetëvendosje”, ka shtuar kryetari i LDK’së.

    Ai ka pasur një përgjigje edhe sa i përket thirrjes së Osmanit se do t’i kthehet popullit dhe se qytetarët do të rikthehen fuqishëm për ta shkoqur shtetin nga strukturat që po e mbajnë të uzupruar.

    Sipas të parit të LDK’së, mentaliteti i revolucionit ishte bërë shkak për ndezjen e Shqipërisë gjatë 90-tave, dhe thotë se nuk duhet lejuar që të kallet Kosova nga revolucionarët e rinj që propagandojnë, nxitin përçarje e thirren në emër të popullit.

    “Rugova ka kultivuar proceset demokratike. Jo revolucionet demokratike. Mentaliteti i revolucionit demokratik e kalli Shqipërinë në vitin 1997. Nuk duhet të lejojmë të kallet Kosova nga neorevolucionarët tanë të bashkuar. Këta, përveç propagandës dhe shkatërrimeve, përçarjes dhe thirrjes  në popullin dhe për popullin, asgjë të mirë nuk i sollën këtij vendi deri më sot”, ka shtuar Mustafa.

    Për kritikat ndaj qeverisë dhe konstatimeve se ekzekutivi iu është kundërvënë qytetarëve, Mustafa i ka rikujtuar Osmanit se Hoti është duke ushtruar pozitën që i takon me Kushtetutë, derisa thotë se është vetë ish-nënkryetarja e LDK’së që po vazhdon ta mbajë një pozitë që me Kushtetutë i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ish-kreu i ekzekutivit thotë se kjo tregon se me kënd është Vjosa Osmani dhe pse flet kundër LDK’së dhe kryeministrit Hoti.

    “Z. Hoti po tregohet si kryeministër i dijshëm dhe i ndërgjegjshëm për vendin, me sjellje normale dhe me vendime koherente. Po sillet i përgjegjshëm ndaj LDK-së, që ia ka dhënë besimin, ndaj ligjit dhe ndaj qytetarëve. Ai po e ushtron pozitën që i takon me Kushtetutë. Znj. Osmani po e ushtron pozitën e Kryetares së Kuvendit, që nuk i tako,  pas prishjes së koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV-së. Ajo po e ushtron pozitën që i takon VV-së me Kushtetute, prandaj kjo flet se me këndë  është ajo dhe pse shërbehet me këtë diskurs kundër Hotit dhe LDK-së”, ka përfunduar kreu i LDK’së, Isa Mustafa.

    Në zgjedhjet e 6 tetorit Lidhja Demokratike e Kosovës ishte rënditur e dyta me rreth 1 % më pak vota se Lëvizja Vetëvendosje. Pavarësisht përpjekjes për bashkëpunim, koalicioni LDK-VV s’kishte zgjatur as 100 ditë, ndërkohë qysh pas prishjes së koalicionit dhe krijimit të Qeverisë Hoti, Vjosa Osmani s’ka rreshtur së kritikuar partinë. Si pasojë e qëndrimeve të saj, Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së e kishte shkarkuar me shumicë votash nga pozita e nënkryetares, derisa tashmë Osmani po e mendon edhe nisjen e një iniciative të re politike.

    Nga Rubrika
    Lajme07 Nëntor 2024
    Zenun Pajaziti nga PDK-ja me Vehbi Kajtazin, ka komentuar kthimin e Donald Trumpit si president i SHBA-së dhe ndikimin që mund të...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Ka shkaur në pesë  numri i të arrestuarve në aksionin e Antidrogës në Prizren. Gjatë bastisjes së një shtëpie, janë gjetur edhe...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Për të premten parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell. Mëngjesi do të jetë me acar dhe me prani të mjegullës lokale...
    Të tjera
    Lajme07 Nëntor 2024
    Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Visar Azemi ka publikuar disa fotografi nga tubimi i madh në Prishtinë që ka...
    Sport07 Nëntor 2024
    Disa nga favoritët zhgënjyen e disa të tjerë bënë detyrën ndaj kundërshtarit. Kanë përfunduar nëntë sfidat e para të kësaj të enjteje...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Antidroga i ka arrestuar dy persona në Prizren në një operacion policor. Atje u konfiskua po ashtu edhe një sasi e drogës....
    Lajme07 Nëntor 2024
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke folur për fitoren e Donald Trumpt në SHBA, tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë harmoni...
    Vip07 Nëntor 2024
    Rezart Veleshnja është njëri nga banoret që krijon dinamika të shumta në ‘Big Brother VIP Kosova’. Për aktorin nuk ka munguar mbështetja...
    Kronika07 Nëntor 2024
    Është arrestuar një person në Prishtinë, i dyshuar për shitje të substancave narkotike. Policia ka bërë të ditur se pas pranimit të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.