
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar në lidhje me dërgimin e vagonëve për riparim në Serbi.
Ajo i është adresuar publikut edhe përmes një videoje, ku ka thënë se Trainkos ka shpallur tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve në të cilin ka aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë, e cila edhe e ka fituar tenderin.
Ajo thotë se “përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi”.
“Ne ndajmë brengën tuaj për çdo rast ku në tenderë publikë përfitojnë direkt ose indirekt kompani nga Serbia. Si ministri, po sigurohemi që ndërmarrjet publike të adresojnë sfidat që i hasin në këtë aspekt tek ministria sponsorizuese e Ligjit të Prokurimit Publik në mënyrë që kjo të adresohet në mënyrën më të mirë të mundshme në rishikimin e ligjit që planifikohet. Sa i përket rastit që është ngritur në media, ne kemi pranuar këto informata nga ndërmarrja: Trainkos ka shpallur tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve në të cilin ka aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë, e cila edhe e ka fituar tenderin. Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi”.
“Në fakt, sipas ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët. Megjithatë, Trainkos do të bëjë një vlerësim të pavarur vetë për të parë nëse vagonët mund të riparohen në ndonjë shtet tjetër, dhe në rast që kjo është e mundur, do të ndërmarrë hapat për ta adresuar këtë shqetësim. Ndërkohë, u bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga informimi tendencioz, i pjesshëm ose i pasaktë dhe të përmbahen nga shprehja e hipokrizisë së tyre”, ka thënë ajo ndër tjerash.