
Viti 2027, pritet të jetë viti kur Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në ushtri të plotë. Kjo pasi që ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni në një intervistë për “Front Online”, theksoi se në po këtë vit, do të përfundoj në tërësi procesi i tranzicionit të FSK-së.
“Ne jemi në vitin e dytë të tranzicionit. Viti përfundimtar kur duhet të deklarohemi me kapacitete përfundimtare, do të thotë validiteti i njësive të ndryshme, ngritja e njësive të ndryshme, rritja e kapaciteteve operacioneve tjera, ne kemi paraparë vitin 2027. Këto certifikata, validime do të bëhen nga Njësitë e Specializuara nga SHBA-të për fushat e ndryshme. Do të thotë është e paraparë kur bëhet validiteti i një kompanie, një regjimenti apo i një specializimi në fusha të ndryshme”, ka thënë ai për “Front Online”.
Zotimet e qeverisë për mbështetje financiare, kanë bërë që Quni të jetë i bindur që viti 2027, do ta gjej FSK-në si një forcë kredibile e cila sipas tij do të jetë në gjendje t`i kryej të gjitha detyrat.
“Për të gjitha këto procese, zhvillime në kuadër të tranzicionit natyrisht që është paraparë edhe kostoja buxhetore. Ne i kemi zotimet e qeverisë që do të kemi përkrahjen e vazhdueshme por edhe kërkesat tona janë të balancuara duke pasur parasysh edhe mundësitë tona buxhetore. Jam mëse i bindur që në vitin 2027 do të thotë si forcë ushtarake do të jetë në një forcë kredibile e cila në bazë të misionit do të jetë në gjendje që t`i përmbush të gjitha detyrat”, ka thënë ndër të tjera ai.