×
  • Opinione
  • Opinione

    Militantët e përjetshëm

    Musli Krasniqi
    11 Janar 2024

    As atë natë, si çdo natë tjetër që nga 2 prilli, Beqir Hajrizi nuk flinte i qetë. Mekej nga pagjumësia, ndërsa nga zemra e sëmbuar dhe mendimet e përhumbura nuk i shqitej për asnjë sekondë i biri i rënë dy vjet më herët në qendër të Prishtinës, në demonstratën e madhe të asaj pranvere.

    Mijëra njerëz nga e gjithë Kosova kishin shkelur në pragun e shtëpisë së tij, për t’iu gjendur pranë në ditët më të vështira të jetës. Në mesin e tyre, shumë shokë e shoqe të Naserit, të shkollës e të jetës. Ndër më të shpeshtit, ata të veprimtarisë klandestine çlirimtare.

    Një trokitje e lehtë e derës e shkëputi nga kujtimet që tashmë i ishin bërë të përnatshme. Për të ishte i njohur ai kod-trokitje, por nuk e kishte idenë se kush mund të ishte atë natë.

    Organizata klandestine në të cilën kishte milituar i biri, vazhdonte të gjurmohej forcërisht nga policia dhe shërbimi sekret jugosllav, prandaj edhe lëvizjet e veprimtarëve të saj, të mbetur jashtë grilave, qenë bërë shumë më të kujdesshme.

    Hapi derën dhe u gjend para trupit shtatgjatë dhe fytyrës gazmore të Nuhi Berishës.

    Për një çast në nurin e djaloshit përballë iu fanit imazhi i të birit.

    E përqafoi i ngashëryer.

    “Të kam premtuar se do të vijë”, – i tha Nuhiu dhe me dashuri prej fëmije i shtrëngoi dorën tërë kallo.

    Si këtë natë, ashtu sikurse shumë herë të tjera kur shkonte për vizitë te prindërit e Naserit, përtej rregullave të vigjilencës klandestine rrinte deri natën vonë. Vizitat si kjo i konsideronte detyrë.

    Ikte ashtu siç vinte, pa u dëgjuar dhe pa rënë në sytë e askujt, përveç atyre të Beqirit, të Fatimes e të familjarëve të ngushtë, të cilët përcillnin me drojë siluetën e tij derisa humbiste nën pemët e kopshtit.

    Në shumë raste Nuhiu shfrytëzonte motoçikletën. E linte në bodrum dhe kujdesshëm ngjitej në katin e sipërm.

    I prezantuar me emrin “Nazmi”, me orë të tëra qëndronte midis dy prindërve të Naserit, me njërën dorë në prehrin e nënë Fatimes dhe tjetrën në atë të babë Beqirit.

    Edhe një premtim tjetër i mbajtur, në dëshirën e pafundme të nënë Fatimes: “Do të të çoj unë te varri i Naserit”.

    * * *

    Me përgatitjet e rralla prej militanti gueril, Nuhi Berisha shquhej për aftësitë e tij teorike, organizative e të aksionit. Veprimtaria në konspiracion të thellë nuk ia kishte zbehur aspak rezultatet konkrete në terren. Ai kishte rikrijuar rrjete të tëra veprimtarësh pas goditjes që pushteti serbo-jugosllav i kishte bërë organizatës në vitet 1981-1982, me arrestimin e pothuajse tërë udhëheqjes së saj në krye me Mehmet Hajrizin dhe vrasjen në mërgim të Kadri Zekës.

    Tani në bashkëveprim me veprimtarin e paepur, qëndrestarin e pashembullt, organizatorin e pashoq dhe kryengritësin e pandalshëm, Rexhep Malajn, po hidhnin gurë të rinj në themelet e kryengritjes.

    Veprimtaria intensive e tyre nuk kishte si të mos binte në sy të UDB-së, e cila kishte intensifikuar përndjekjen ndaj lëvizjes kombëtare.

    Në natën e acartë midis 11 dhe 12 janarit 1984 në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, në një rrethim të hekurt ushtarako-policor dhe pas një beteje deri në fishekun e fundit, u bënë vetë gurthemel i lirisë, duke mbetur lapidarë të përjetshëm.

    * * *

    Në shtëpinë e Beqir Hajrizit, pranë briskut të Naserit qëndron brisku i Nuhi Berishës, i harruar gjatë vizitës së tij të fundit, pak ditë para rënies heroike, si dëshmi e idealit të përbashkët.

    Pompa e derivateve me çmimet më të lira në Kosovë
    Nga Rubrika
    Opinione02 Maj 2024
    Nga: David A. Andelman / CNN Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më...
    Opinione01 Maj 2024
    Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own) Trupat...
    Opinione30 Prill 2024
    Nga: David Robson / The Atlantic Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në...
    Të tjera
    Lajme02 Maj 2024
    Deputeti i PDK-së. Xhavit Haliti tha se Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor “janë përballur me raporte të tilla”, ndërsa...
    Lajme02 Maj 2024
    Janë bërë 25 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm të cilët...
    Vip02 Maj 2024
    Hailey Bieber është shtatzënë! Baby Bieber po vjen! Kjo është ajo që po përflitet online. Vetëm në muajin e fundit, Google Trends...
    Lajme02 Maj 2024
    Deputeti I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë sot se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka marrë...
    Lajme02 Maj 2024
    Deputetët britanikë sot do të mbajnë një debat mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Këtë debat e ka futur në agjendë deputetja Alicia...
    Lajme02 Maj 2024
    Sot më 2 maj, shënohet 25 vjetori i Masakrës së Studimës, ku forcat serbe vranë 116 civilë të këtij fshati të komunës...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.