Xhezali Hashimi nga Podujeva që një kohë të gjatë merret me ndërmjetësimin për martesat e njerëzve të ndryshëm dhe bashkimin e çifteve, që në zhargonin popullor njihet si ‘mësitni’. Hashimi i cili njihet ndryshe si ‘mësiti i Llapit’ në një rrëfim për Express ka deklaruar se si i ka kryer mësitnitë përgjatë periudhës së pandemisë dhe izolimit nga Covid 19.
‘Mësiti i Llapit’ i tha Expressit se që nga janari i këtij viti e deri në tetor ka bashkuar 19 çifte. Megjithëkëtë, thotë se kërkesat ende i ka të mëdha për martesa e fejesa.
Ai ka rrëfyer që pret me dhjetëra të rinj e të reja, madje edhe të moshuara, për t’ua gjetur fatin e jetës. Thotë se në pritje i ka edhe 80 kërkesa për martesë.
“Punë po kemi. Përgjatë këtyre muajve kam bashkuar 19 mësitni. Ka shumë kërkesa për t’u martuar. Shumica nga ta janë meshkuj. Mirëpo na vijnë dhe vajza që kërkojnë martesë. Zakonisht këkrojnë që të martohen jashtë Kosovës”, ka shpjeguar Hashimi për Express.
Xhezali Hashimi nga Podujeva- Mësiti i Llapit
Tutje ai tregon se ka pasur raste ku e ka ‘msitnuar’ edhe një person të moshës 67-vjeçare.
“Moshat janë të ndryshme. Ka pasur rast ku e kemi msitnu një 67-vjeçar. Sivjet personi më i vjetër që është mësitnuar ka qenë i moshës 47-vjeçare”, rrëfen Xhezeli Hashimi.
E ‘mësiti i Llapit’ nga një arkitekt tashmë e ka marrë epitetin e ndërmjetësuesit për martesa. Deri më sot ai ka bashkuar afro 1000 çifte brenda dhe jashtë Kosovës.