×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Me paratë e korrupsionit në Kosovë po blihen patundshmëri në bregdetin shqiptar

    FrontOnline
    10 Shtator 2020

    Investimet në ndërtim dhe pasuri të paluajtëshme kanë një histori të gjatë të thithjes së fondeve të paligjshme në vendet e Ballkanit perëndimor, duke qenë se ky sektor përbën një përqindje të madhe të ekonomisë së këtyre vendeve dhe nuk kontrollohet sa duhet.

    Sipas një raporti të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar me titull: Prurjet Financiare të Paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtëshme ka një xhiro vjetore prej rreth një miliardë euro në vit, që përfaqëson rreth 8.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, raporton portali “Front Online”.

    Sipas këtij raporti, 350,000 ndërtime të pasluftës vazhdojnë të jenë pa leje ndërtimi dhe legalizim,dhe është diçka e zakonshme për kosovarët që të mos kenë dokumente pronësie mbi apartamentet e tyre

    Identifikimi i kompanive ndërtimore nga strukturat kriminale

    Sektori i ndërtimit në të tre vendet, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, është veçanërisht i ekspozuar ndaj pastrimit të parave nga vetë mënyra e strukturimit të tij.
    Së pari, në ndërtimet e reja klientëve u kërkohet gati gjithmonë që të parapaguajnë për hapësirën që do të zënë ambientet e tyre, dhe shitet që përpara se të fillojë ndërtimi.
    Ky sektor vazhdon akoma të jetë i varur nga pagesat me para në dorë, dhe agjencitë e pasurive të paluajtëshme në Shqipëri raportojnë se 40–50 për qind e të gjitha shitjeve kryhen me para në dorë, bëhet e ditur në raportin që e posedon “Front Online”.

    “Edhe në rastet kur shitja mbështetet nga marrëveshje financiare, është e rrallë që këto të vijnë nga banka apo institucione të tjera financiare, por janë kredi private të lëshuara nga sipërmarrje të tjera komerciale. Edhe sistemi i shkëmbimit në natyrë përdoret nganjëherë në ndërtimet e reja, ku materialet e ndërtimit shkëmbehen me apartamente të përfunduara”, potencohet në raport.

    Për të organizuar sistemin e pastrimit të parave, sipas këtij raporti ndërkombëtar që e posedon “Front Online”,  grupet kriminale identifikojnë kompani ndërtimi apo njerëz të biznesit në situata të vështira financiare, që kanë akumuluar borxhe apo kanë kredi për të kthyer.

    “U jepen shuma të mëdha parash për t’i investuar në projekte ndërtimi dhe blerje aprtamentesh, nëpërmjet një marrëveshjeje informale (dhe zakonisht përdoret si garanci kërcënimi i përdorimit të dhunës) që apartamentet t’i kthehen mbrapsht grupit kriminal pas përfundimit të projektit”.

    Një mënyrë tjetër është përdorimi i parave të pista për të blerë aksione në një kompani ndërtimi në këmbim të apartamenteve pas përfundimit të ndërtimit. Manipulime me deklarimin e vlerës së apartamentit, apo projektit të ndërtimit, lejon që të pastrohen akoma më shumë fonde.

    Politikanët kosovarë të lidhur me kompanitë ndërtimore

    Në Kosovë, ndërtimi është përqendruar në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, dhe Ferizajt, por edhe Fushë- Kosova, Lipjani, dhe Gjilani kanë regjistruar rritje të ndjeshme.
    Ka të dhëna se punëtorët në kantieret e ndërtimit nuk kanë kontrata pune – dhe për pasojë nuk kanë burime zyrtare të të ardhurave – por depozitojnë shuma të mëdha në llogaritë e tyre bankare, gjithmonë nën kufirin e raportimit prej 10,000 euro.

    Disa kompani ndërtimi duket se janë në pronësi të familjarëve apo personave të afërt me politikanë të fuqishëm. Disa nga këto kompani e nisën aktivitetin në sektorët e infrastrukturës, apo produkteve të naftës, por më pas u orientuan drejt një sektori tjetër kur iu akorduan kontrata të majme me fonde publike.

    Edhe politikanë kosovarë mendohet se i investojnë fitimet e tyre nga ryshfete e korrupsioni në pasuri të paluajtëshme në bregdetin shqiptar

    Ndonëse këto biznese janë bërë objekt i inspektimeve të shumta nga Administrata Tatimore e Kosovës, në lidhje me dyshime për evazion fiskal, mbrojtja politike shpesh i ndihmon këto biznese që t’i shmangen drejtësisë

    Aktivitetet e pastrimit të parave bëhen të mundura edhe nga mangësi në procedurat e regjistrimit të kompanive për hapjen e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar (SHPK). Për shembull, një kompani biznesi SHPK mund të regjistrohet me kapital fillestar prej 1,000 eurosh, apo edhe më pak. Pas regjistrimit, pronari mund të investojë shuma të mëdha në biznes, pa deklaruar fare se nga kanë ardhur këto para. Këto investime trajtohen si shpenzime legjitime, dhe shpesh përjashtohen edhe nga pagimi i taksave, dhe inspektorët tatimorë nuk hetojnë mbi origjinën e tyre.

     

    /Front Online/

    Nga Rubrika
    Ekonomi12 Prill 2025
    Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16% ka ngjallur shqetësime të mëdha...
    Ekonomi11 Prill 2025
    Rritja prej 16% e çmimit të energjisë elektrike, e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka shkaktuar reagime të ashpra...
    Ekonomi11 Prill 2025
    Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka njoftuar edhe zyrtarisht se është marrë vendimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike....
    Të tjera
    Lajme12 Prill 2025
    Sot, një lajm i rëndësishëm për shtetin e Kosovës erdhi nga Afrika, pas njohjes zyrtare të pavarësisë nga Republika e Sudanit. Ky...
    Bota/Rajoni12 Prill 2025
    Një avion i vogël me dy persona në bord është përplasur në një park pushimesh në Ishullin e Uajtit, kanë bërë të...
    Lajme12 Prill 2025
    Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1% do të përfundojë në Gjykatë, pasi shoqëria civile...
    Sport12 Prill 2025
    Arsenali ka humbur terren të vlefshëm në garën për titull në Premier League, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1...
    Lajme12 Prill 2025
    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar së fundmi një paralajmërim për qytetarët e saj për kërcënimin e terrorizmit në Austri. Sipas...
    Lajme12 Prill 2025
    Ish-presidenti Behgjet Pacolli e ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani për njohjen e Kosovës nga Sudani. Në një postim në Facebook, ai ka...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.