Pushtimin ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10 % së pari, e pastaj 100 % që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Eksporti i Serbisë në Kosovë mori tatëpjetën. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019, shkruan “Front Online”.
Haradinaj e kishte arsyetuar taksën me shkeljet, siç ka thënë ai që Serbia i ka bërë Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA. Krahas efekteve ekonomike, taksa ka bartur edhe efekte politike. Vendosja e taksës nga Qeveria në largim e Kosovës, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.
Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s`po pranohej asesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase. Në tjetrën, reciprociteti nuk i pëlqeu aspak as Bashkësisë Ndërkombëtare, që po bënte presion për heqjen e tij, po për të njëjtën arsye, shkruan “Front Online”.
Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.
Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s.
Dialogu u zhbllokua, por edhe eksporti i Serbisë drejt Kosovës po.
Fqinji verior dërgoi përgjatë atij viti produkte në vlerë 174 milionë euro – shumë më shumë sesa në 2019-n, 5 milionë e 578 mijë euro, kohë kjo kur ishte në fuqi taksa. E po ashtu produkte më në sasi sesa në 3 mujorin e reciprocitetit.
Sa i përket 2021-s, importi i Kosovës nga Serbia në 7 mujorin e parë (janar – korrik) deri tash është 161 milionë e 700 mijë euro, shkruan “Front Online”.
Shkaku që Hoti u rrëzua nga pozita e kryeministrit dhe aty u rikthye prapë Albin Kurti u mendua se reciprociteti me Serbinë do të rivendosej prapë.
Të paktën diçka të tillë kishte premtuar vetë kryeministri Kurti gjatë fushatës zgjedhor kur thoshte se vendosja e kësaj mase do të jetë çështje ditësh kur ai të vijë në pushtet.
Tash kur ka mbi 4 muaj që qëndron në këtë anë të demokracisë, diçka e tillë s`ka ndodhur.
Nga Kosova “me dashuri”, 3.8 miliardë € Serbisë dhe 1.8 miliardë € Shqipërisë