×
  • Lajme
  • Lajme

    Mark Ellis: Dosjet e rrjedhura të Speciales, frikësim i hapur dhe sulm mbi gjyqin

    FrontOnline
    24 Shtator 2020

    “Mendoj se është një krizë e vërtetë” – me këto fjalë e komenton rrjedhjen e pretenduar të dokumenteve nga Prokuroria e Specializuar në Hagë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare.

    “Ky është frikësim i pastër dhe sulm mbi gjyqin, mbi procesin, mbi gjyqin e drejtë. Nëse jeni në një mjedis, ku grupe ose individë ofrojnë informacione për emrat dhe adresat e dëshmitarëve, atëherë i gjithë procesi, në thelb, kolapson. Nuk mund të funksionojë”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, prokuroria është përgjegjëse për t’iu përmbajtur fuqishëm mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve.

    “Kjo duhet të ndalojë. Në të kundërtën, rrezikohet i tërë procesi gjyqësor”, thotë ai.

    Prokuroria e Specializuar në Hagë – një institucion i Kosovës, i formuar me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare – heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Mbrojtja e dëshmitarëve është pikërisht një nga arsyet përse selia e Prokurorisë është në Hagë dhe jo në Kosovë.

    Dorëzimi anonim i dokumenteve në Prishtinë

    Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”.

    Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga.

    Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente.

    Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

    Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike. Deri më tani, asnjë emër i dëshmitarëve nuk është bërë publik.

    Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

    Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.

    Besueshmëria e prokurorisë rrezikohet nëse nuk reagon

    Ellis thotë se besueshmëria e Prokurorisë së Specializuar do të rrezikohet nëse ajo nuk reagon menjëherë dhe nuk merr masa të fuqishme kundër atyre që janë përfshirë në rrjedhjen e pretenduar të dokumentacionit të ndjeshëm.

    “Sipas mendimit tim, kjo është një shkelje kaq serioze e procedurës gjyqësore, saqë të gjithë, përfshirë Prokurorinë, duhet të shqetësohen jashtëzakonisht dhe të bëjnë gjithçka të mundur, jo vetëm që kjo të mos përsëritet, por edhe për ta bërë të qartë se do të reagojnë kundër kujtdo që nxjerr informacione të tilla në publik”, thotë Ellis.

    Ellis po ashtu thekson se vetë fakti që dokumentet publikohen, tregon se “ka një problem në proces, në mbrojtjen e informacionit” dhe se ai “duhet të zgjidhet përmes një hetimi të brendshëm”.

    “Kur subjektet ose individët i shkelin rregullat dhe parimet, përgjigjja duhet të jetë urgjente, e fuqishme, dhe unë besoj se duhet të ketë pasoja, përfshirë aktakuzën penale kundër çdo subjekti ose individi, që ofron ose lejon që informacionet për dëshmitarë, të bëhen publike”, thotë Ellis.

    Bashkëpunimi i dëshmitarëve me gjykatën – sfidë

    Sipas tij, bashkëpunimi i dëshmitarëve me gjykatën mund të jetë tani një sfidë absolute, “gjë që ka qenë edhe qëllim i atyre subjekteve që i kanë ofruar informacione publikut”.

    Ai shton se përgjegjësia i takon edhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila “duhet të jetë e zëshme sa i përket kësaj çështjeje, për shkak të rëndësisë së mbrojtjes së dëshmitarëve në çdo proces gjyqësor”.

    Më 18 shtator, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e kanë vlerësuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për “respektimin e autoritetit të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, për të hetuar zbulimin e mundshëm joligjor të dokumenteve dhe informacioneve sekrete”.

    Gjykata Speciale, apo, siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, është formuar në vitin 2015 me ndryshime kushtetuese në Kuvendin e Kosovës. Ajo financohet nga Bashkimi Evropian.

    Aktakuzat e para janë paraqitur në shkurt të këtij viti.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar në fund të qershorit se, në muajin prill, ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

    Në muajin korrik, Thaçi, për katër ditë me radhë, është marrë në pyetje nga prokurorët në Hagë.

    Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzat.

    Deri më tani, nuk është njoftuar se ndonjë nga aktakuzat është konfirmuar.

    Përmbajtja e aktakuzave të prokurorit amerikan, Jack Smith, është sekrete derisa gjykatësi t’i konfirmojë ato.

    Në Kosovë, shumë e kanë kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale, pasi ajo merret vetëm me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, i cili nuk përmend krimet serbe në Kosovë.

    Veteranët e UÇK-së kanë protestuar disa herë dhe, në vitin 2017, ka pasur edhe një përpjekje të dështuar në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e gjykatës. Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar ashpër ndaj kësaj përpjekjeje.

    Nga Rubrika
    Lajme04 Mars 2026
    Mbledhja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje duket se ka përfunduar. Kjo pasi që deputetët e kësaj partie janë parë teksa dalin...
    Lajme04 Mars 2026
    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ngushëllon familjen Maliqi nga Korrotica e Ulët e Drenasit, me rastin e ndarjes nga jeta të humanistit...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari, ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes si...
    Të tjera
    Lajme04 Mars 2026
    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se janë 4-5 kandidatë që janë përmendur për postin e presidentit derisa deklaroi se në...
    Lajme04 Mars 2026
    Emri i ish-presidentes Atifete Jahjaga, është lakuar së fundmi rreth çështjes së zgjedhjes së shefit/es së shtetit, tani kur Kosova ka hyrë...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se SHBA-ja dhe Izraeli sapo kanë nisur sulmet ndaj Iranit dhe se priten valë...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi këtë të mërkurë ndrsyhimet në qeveri, të propozuara nga kryeministri Edi Rama. Belinda Balluku lë kabinetin...
    Lajme04 Mars 2026
    Emri i Justina Pulës është përmendur sot në media si e propozuar nga PDK-ja për postin e presidentes. Rreth kësaj çështjeje, ka...
    Lajme04 Mars 2026
    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka mohuar se partia e tij ka një kandidat për President pas disa raportimeve se kryeakademikja Justina...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.