Edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci ka folur për vrasjet, që sipas saj vetëm në Kosovë quhet hero ai që jep urdhër për vrasje. Deklarata e saj erdhi pas fjalimit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura.
Nura ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi ka dëshmuar se kanë qenë shpifje ato që janë thënë se ai do të bëjë kompromis me Kosovën dhe ish-bashkëluftëtarët, për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale.
Nura: Hashim Thaçi ka demaskuar teorinë shpifëse të demagogëve politikë
“Edhe sot procesi i së drejtës në Dhomat e Specializuara në Hagë janë derivat i përmbajtjes ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçse niveli i trillimeve është më i sofistikuar, megjithatë, me gjithë këtë fatkeqësi ka diçka që e vlerësoj pozitive dhe më bën të ndjehem krenar, e para, se presidenti Hashim Thaçi ua demaskoi teorinë shpifëse të demagogëve politik se ai do të bëjë kompromis me Kosovën dhe shokët e tij për të shpëtuar gjëja vetën, e ai nuk bëri kompromis as me Kosovën as me shokët e tij, bëri kompromis me veten, me drejtësinë dhe shkoi të mbrojë të drejtën dhe të vërteten e Kosovës…Eventi i organizuar i shpifjes u bartë në mënyrë zinxhirore dhe nga bartës të institucioneve të cilët morën pushtetin nën marshutën e diskursit shpifës të udhëhequr nga i ashtuquajturi koalicion i shpresës”, tha ai.
Pas tij ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Marigona Geci.
Geci: Vetëm në Kosovë urdhërdhënësi i vrasjeve është hero
“Merrni me mend se deri ku ka arritur soji i juaj i politikës. Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju, po e shani djalin e Hamëz Jasharit e nuk po e shani vajzën e Gani Gecit. Vetëm në këtë vend, urdhërdhënësi i vrasjeve është hero dhe viktima është hero, vetëm në këtë vend hero është Shaban Polluzha dhe vrasësi i tij Fadil Hoxha, vetëm në këtë vend hero është Haki Imeri dhe urdhërdhënësi për vrasjen. Andaj unë nuk ja vlen me u marrë me juve, çoni prej varri ata, të cilët u vranë që ne mos të merremi me ata që na vranë”, tha ajo.
Ndërsa Nura ka thënë se ka ardhur koha që të demaskohen shpifjet me fakte.
Nura: Ka ardhur koha t’i demaskojmë shpifjet
“Ka ardhur dita t’i demaskojmë shpifjet dhe trillimet me fakte dhe argumente dhe fuqinë e së vërtetës, ashtu siç e kemi demaskuar kolegun e juaj bashkëpartiak, i cili sot sorollatet në vendet e dyta dhe të treta, besoj e di për kënd e kam fjalën”, tha Nura./