Shkruan: Michael Khodarkovsky “Wall Street Journal”
Për më shumë se 2 dekada, mediat perëndimore e kanë vlerësuar Vladimir Putinin si një strateg të madh. Por nëse 8 muajt e fundit kanë vërtetuar një gjë, ajo është se ky “mjeshtër i strategjive” ka arritur më shpesh të kundërtën e synimeve të tij. Vladimir Putin ka premtuar shumë gjëra, përfshirë edhe bërjen e Rusinë një vend tërheqës për të jetuar deri në vitin 2020.
Por përkundër kësaj, miliona rusë janë larguar nga vendi dhe po jetojnë sot në Perëndim. Ekonomia ruse mbetet kryesisht e varur nga nafta dhe gazi, dhe që nga viti 2013 të ardhurat e Prodhimit të Brendshëm bruto për Frymë kanë rënë gati me 60 për qind.
Përpjekjet e qeverisë ruse për të ngadalësuar rënien demografike kanë dështuar, dhe mobilizimi ushtarak i Kremlinit për luftën e tij në Ukrainë, ka nxitur largimin nga vendi të mbi 300.000 rusëve. Shumë nga ata që nuk mund t’i shpëtojnë rekrutimit apo të japin ryshfet për ta shmangur mobilizimin, janë jo-rusë nga rajone të largëta dhe të varfra në lindje dhe jug të federatës.
Këta faktorë ofrojnë një panoramë të zymtë dhe me pasoja të qarta: Në vend se të ringjallë madhështinë e vendit të tij, Putin mund të jetë duke shkaktuar rënien e perandorisë së fundit ruse. Rusia ka qenë gjithnjë një fuqi koloniale, por që e mohonte këtë status.
Ndërsa pushtonte dhe sundonte popujt, ajo këmbëngulte se në dallim nga pushtimet e dhunshme perëndimore, vetë popujt e pushtuar e “kërkuan” mbrojtjen e Rusisë, dhe se sundimi rus ishte i mirë. Ky hendek midis retorikës dhe realitetit, është i dukshëm në përcaktimin aktual të vendit si “Federata Ruse”.
Brenda saj ka 21 republika, secila me një grup etnik titullar jo-rus. Në epokën sovjetike, Moska përcaktoi kufijtë e tyre territorialë, dhe i lejoi secilës autonominë e vet kulturore. Pas shembjes së BRSS në vitin 1991, këto republika të vogla kërkuan një autonomi të vërtetë administrative dhe politike.
Një qeveri e re demokratike ruse nën Boris Yeltsin, ishte e përgatitur të pranonte shumëçka, ndaj nënshkroi traktate dypalëshe me të gjithë përveç njërës nga republikat: Çeçenisë. Kur Republika Çeçene refuzoi që të pajtohej me këtë qasje, duke kërkuar autonomi të plotë, qeveria e Yeltsin dërgoi trupa në atë që u njoh më vonë si Lufta e Parë Çeçene (1994-1996).
Gjatë atyre pak viteve demokraci, në Rusi dolën në dritë tema dikur të ndaluara. Studimet zbuluan se Rusia kishte qenë një perandori ekspansioniste, e prirë për të nënshtruar popujt fqinje. Sapo u bë president në vitin 2000, Putin e frenoi shumë shpejt lirinë dhe diskutimin e hapur.
Ai i shtypi brutalisht aspiratat e Çeçenisë për pavarësi. Ai vendosi të minojë autonominë e republikave të tilla, të zhdukë kufijtë e tyre etno-territorialë, dhe t’i kthejë ato në entitete të rregullta administrative ruse. Në funksion të këtij qëllimi, Kremlini urdhëroi të reduktohej mësimi në gjuhët lokale, dhe emëroi në postet lokale rusë besnikë ndaj Moskës.
Por ritmi i këtij rusifikimi, nuk ishte mjaftueshëm i shpejtë për Putinin dhe aleatët e tij. Kremlini e kupton se tendencat demografike të Rusisë janë katastrofike. Popullsia ruse ka rënë ndjeshëm gjatë 3 dekadave të fundit, ndërsa popullsia jo-ruse është shtuar me shpejtësi.
Sipas disa vlerësimeve, deri në vitet 2050 Rusia mund të bëhet një vend me shumicë myslimane. Putin është i fiksuar pas gjenit rus, të cilin ai e quan “të veçantë” dhe “të rrezikuar”. Ai e pushtoi Ukrainën, pjesërisht për të rritur popullsinë sllave të Rusisë duke përfshirë ukrainasit, të cilët ai i konsideron si “rusët e vegjël”.
Ky qëndrim, së bashku me aspiratat e Putinit për krijimin e “botës ruse”, ku të gjithë rusisht-folësit janë të bashkuar nën sundimin e Moskës, kanë një ngjashmëri të madhe me Gjermaninë e viteve 1930. Është kjo arsyeja pse Moska ka rrëmbyer dhe transferuar shumë njerëz – veçanërisht fëmijë – nga territoret e okupuara të Ukrainës në Rusi.
Po ashtu, ajo e ka konsideruar prej kohësh karakterin multietnik të Rusisë një kërcënim potencial për idealin e saj mbi një shtet unitar. Me luftën e tij në Ukrainë, Putin duket se ka gjetur një përgjigje për përpjekjet e tij rusifikuese:gjenocidin ndaj popujve të ndryshëm jo-rusë.
Që në ditët e para të pushtimit të saj në shkurt, Moska ka rekrutuar në mënyrë disproporcionale shumë jo-rusë, përfshirë tatarët nga rajoni i Krimesë i Ukrainës, i aneksuar ilegalisht. Megjithatë, rajonet jo-ruse kanë filluar të ndërgjegjësohen mbi planet e mbrapshta të Moskës.
Javët e fundit kanë shpërthyer protesta në disa rajone myslimane të Dagestanit dhe Bashkortostanit, por edhe në Siberi. Pasi Çeçenia pretendoi kohët e fundit se e kishte plotësuar kuotën e saj dhe refuzoi të dërgonte më shumë njerëz në front, Yakutia, një rajon i madhi Siberisë, bëri të njëjtën gjë.
Rëndësia e këtyre protestave kuptohet mirë edhe nga autoritetet ukrainase. Më 29 shtator, presidenti Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim përpara memorialit të Imam Shamilit, udhëheqësit të Kaukazit të Veriut në shekullin XIX-të, që udhëhoqi për gati 30 vjet luftën e myslimanëve kundër Rusisë.
Ai u bëri thirrje popujve të Kaukazit dhe jo-rusëve të tjerë që të mos i lënë djemtë e tyre të vdesin në fushat e Ukrainës. Kauza e tyre, shtoi ai, ishte e njëjtë, të çlirohen nga dominimi rus. Putin duhet të lexojë me kujdes historinë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, autoritetet ruse u përpoqën të rekrutonin myslimanë nga Azia Qendrore.
Rezultati ishte një kryengritje e madhe në verën e vitit 1916, për shtypjen e të cilës u deshën disa muaj dhe dhjetëra mijëra trupa ruse. Në fund, asnjë nga myslimanët nuk u dërgua në betejë, dhe për shkak të tërheqjes së njësive të ushtrisë nga fronti për t’u përballur me kryengritjen e brendshme, Rusia e përshpejtoi humbjen e saj përfundimtare.
Më pak se 6 muaj më vonë, Cari dhe qeveria e tij u detyruan të jepnin dorëheqjen. Duke dërguar në Ukrainë jo-rusët të trajnuar dobët, Moska mund të ketë së shpejti një fat të ngjashëm. Shekujt e hidhërimit dhe zhgënjimit të ndrydhur ndaj sundimit të Moskës, mund të shpërthejnë shumë shpejt në një konfrontim ushtarak dhe luftë civile.
Duke pasur parasysh humbjet aktuale ushtarake të Rusisë, kjo nuk është një perspektivë e largët. Pavarësisht se kur mund të ndodhë, Rusia do të shpërbëhet ashtu siç ndodhi me perandorinë e carëve dhe Bashkimin Sovjetik. Do të ishte ironike nëse njeriu që donte ta ringjallte BRSS-në, do të shkaktonte në vend të kësaj rënien e perandorisë së fundit të Rusisë.
Shënim: Michael Khodarkovsky, profesor historie në Universitetin Lojola në Çikago, SHBA.