Nga: Simon Tisdall, The Guardian.
Kur muajin e ardhshëm Benjamin Netanyahu fluturon për në Uashington, do të këshillohet për shmangie të hapësirës ajrore dhe të aeroporteve britanike. Si palë themeluese e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), Britania e Madhe mund të jetë ligjërisht dhe moralisht e detyruar të ndalojë kryeministrin e Izraelit nëse ai kalon nëpër territorin e saj.
Kjo për shkak se kryeprokurori i ICC-së kërkon urdhër-arrest për Netanyahun – për krime të dyshuara lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Gazë, ku më shumë se 37 mijë njerëz, kryesisht civilë, kanë vdekur që nga sulmet terroriste të Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor, ku u vranë rreth 1 200 njerëz.
Mjerisht, mbetet e largët perspektiva që Netanyahu të largohet në pranga. Është ndoshta e tepërt të shpresosh që Keir Starmer, si kryeministër i emëruar i Britanisë, do të përpiqet të shpëtojë këtë të arratisur nga drejtësia. Në manifestin e saj zgjedhor, laburistët mbështesin fuqimisht ICC-në e cila mbështetet te shtetet anëtare për të zbatuar arrestimet.
Por, kur bëhet fjalë për Gazën, ka ashiqare kufizime pragmatike për përkushtimin e laburistëve ndaj drejtësisë për palestinezët, pavarësisht provave dërrmuese të kriminalitetit dhe zbulimeve se agjencitë e spiunazhit të Izraelit u përpoqën të përmbysnin ICC-në. Netanyahu shkeli gjithashtu një urdhër të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, për të ndaluar operacionet e ushtrisë në Rafah.
Standardet e dyfishta britanike – për të mos thënë hipokrizia – mbi sjelljen mizore të lidershipit të Izraelit, janë asgjë në raport me Kongresin amerikan. Arsyeja se pse Netanyahu së shpejti do të jetë në udhëtime, është ftesa për t’iu drejtuar – më 24 korrik – një sesioni të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.
Kjo vjen si rezultat i mirësjelljes së republikanëve të djathtë, pro-Trump, të cilët Netanyahun e vlerësojnë si anëtar nderi të kultit të tyre. Sa e hidhur duhet të jetë kjo për presidentin Joe Biden, i cili pas 7 tetorit nxitoi për në Jerusalem, ia vuri Netanyahut dorën mbi sup dhe bujarisht i premtoi mbështetje.
Bideni po e paguan një çmim të lartë në vitin zgjedhor, kjo për shfaqjen e solidaritetit të padiskutueshëm. Votuesit më të rinj janë të tmerruar nga masakra e Gazës, shumëçka e shkaktuar nga bombat e furnizuara nga ShBA-ja. Në vend që të tregojë mirënjohje, lideri i Izraelit pengon përpjekjet e paqes së ndërmjetësuar nga ShBA-ja dhe zgjedh përleshjet në vend të bamirësit.
Javën e kaluar Netanyahu e sulmoi Bidenin për gjoja ndalimin e dërgesave të armëve, ndërkohë që me mendjemadhësi më vonë u shfaq si një Winston Churchill, duke kërkuar “mjetet për të përfunduar punën”. Shtëpia e Bardhë u tërbua. Në fakt, janë ndaluar vetëm bombat me “efekt të gjerë” të prodhuara nga ShBA-ja, të cilat vrasin pa dallim. Uashingtoni është gjithnjë e më i shqetësuar se Netanyahu, më i varur se kurrë nga ekstremistët racistë dhe nga sionistët fetarë – pas rënies së kabinetit të tij unifikues të luftës – po përgatitet për një luftë me Hezbollahun e mbështetur nga Irani në Liban.
Shumica në Izrael kanë frikën e ShBA-së, duke e akuzuar kryeministrin për përjetësimin e luftës së Gazës për të qëndruar në pushtet dhe jashtë burgut (përveç ICC-së, përballet me akuza të brendshme). Pushtimi i Libanit do të ishte një hap tjetër logjik në këtë zhvillim të çmendur.
Edhe pse i dërguari i posaçëm i Bidenit ishte në Bejrut dhe në Jerusalem, duke u përpjekur për të parandaluar përshkallëzimin, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, paralajmëronte se janë bërë planet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për luftë në shkallë të plotë kundër Hezbollahut, dhe se vendimi është “shumë afër”. Katz u zotua se forcat e Hezbollahut, edhe pse më të shumta dhe më të armatosura se Hamasi, do të “shkatërrohen dhe se Libani do të goditet rëndë”. Këto janë të njëjtat premtime të rrezikshme joreale të bëra përpara fushatës së Gazës.
Duke pasur parasysh atë që disa komentues izraelitë e shohin si performancën më të keqe të IDF-së gjatë kohës së luftës, kërcënimet e tilla janë megjithatë të tmerrshme. Nëse ndodh përsëritja e pushtimeve të Libanit më 2006 dhe 1982, janë të sigurta viktimat dhe vuajtjet e mëdha civile.
Shpeshherë thuhet se Hezbollahu, përkundër breshërive të intensifikuara të raketave në veri të Izraelit në javën e kaluar, nuk e kërkon konfliktin e gjithanshëm dhe as sponsori i tij, Irani. Nëse ka armëpushim në Gazë, tensionet do të zbuten. Por, Sayyed Hassan Nasrallah, mujshari kryesor i Hezbollahut lëshoi kërcënime të tmerrshme në javën e kaluar. Ashtu si Netanyahu, Nasrallahut i mungon plani për t’ia dhënë fundin dhunës, si dhe vizioni strategjik për të ardhmen e pasluftës. Ndërkohë, shefat e tij në Teheran janë të preokupuar me zgjedhjen e presidentit të ri.
Vdekja në muajin e kaluar e presidentit Ebrahim Raisi, krijoi mundësi për Iranin që të rishqyrtojë politikën agresive të “mbrojtjes” rajonale, duke përdorur shërbëtorët në Irak, Siri, Liban dhe Jemen për të zgjeruar ndikimin, për të mbrojtur kufijtë dhe për të bërë presion mbi Izraelin dhe aleatët. Kjo mundësi po ikën pasi gjashtë kandidatë të miratuar dhe zyrtarisht të verifikuar, konkurrojnë për të zëvendësuar Raisin më 28 qershor. Vetëm njëri, Masoud Pezeshkian, konsiderohet si reformist. Kandidatura e tij jep përshtypjen e një gare të rreme të hapur. I preferuari është konservatori veteran, Mohammad Baqer Kalibaf – zgjedhja e supozuar e liderit suprem të vijës së ashpër të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Nëse ai fiton, Irani do të vazhdojë në çdo gjë rrugën e verbër të konfrontimit me Izraelin dhe ShBA-në, që nga Palestina e deri te armët bërthamore.
Një tjetër pikë problematike mund të jetë për ShBA-në. “Teatri sirian rrezikon të ndez një konflikt të drejtpërdrejtë edhe më vdekjeprurës midis Izraelit dhe Iranit”, sugjeron Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, duke vënë në dukje 170 sulmet kundër bazave amerikane në Siri dhe Irak që nga 7 tetori, bombardimin e Izraelit si reagim ndaj sulmit në konsullatën e Iranit në Damask dhe hakmarrjen ndaj Teheranit.
Zbritja përfundimtare në kaos mund të jetë ndonjë sulm i rastësishëm ajror ose ndonjë atentat. Pas nëntë muajve të pamëshirshëm në Gazë, rrallëherë është dukur më i lartë rreziku i luftës gjithëpërfshirëse në mbarë rajonin. Megjithatë, nëse ndodh, ndoshta kjo do të jetë më shumë rastësisht sesa nga diçka e planifikuar.
Kush mund ta ndalë këtë lëvizje anarkike dhe pa timon që po shkon drejt katastrofës? Shtetet arabe janë të paefektshme ose të paangazhuara. Rusia luan nxitësin, Kina nuk është serioze, qëllimet e Iranit janë keqdashëse. Hamasi fshihet prapa civilëve, BE-ja dhe OKB-ja janë anash, Bideni po lëkundet.
Dhe, në Izrael, Netanyahu po vazhdon me provën e përditshme të një të vërtete më të madhe: për fat të keq, kudo mungojnë liderët e aftë, me integritet dhe vizion. /Telegrafi/