Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebbook, ka reaguar pas raportimeve për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, saktësisht në Karaçevë të Kamenicës.
Surdulli tha se veprime të tilla të xhandarmërisë serbe po vazhdojnë tash e 20 vjet pas çlirimit të Kosovës.
Ish-kryetari apeloi të KFOR’i dhe institucionet tjera të Kosovës që të reagojnë në mënyrë që veprime të tilla të mos përsëriten përsëri nga forcat serbe
Gjithashtu, edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar lidhur me këtë çështje ku ka thënë se paramilitarët serbë terrorizuan qytetarët e Kamenicës.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të ish-kryetarit Surdulli:
Informatë
Për KFOR-in,
Institucionet qendrore të Republikës së Kosovës,
Mediat dhe opinionin publik
Sot, më 07.08.2020, rreth ores 18,05 një kolonë e ushtrisë së Serbisë të shoqëruar me disa qenë përsëri erdhën nga mali e anës së Serbisë kaluan nëpër rrugën e lagjës tonë të Bernjashëve dhe ranë teposht ende më fellë të territorit të Republikës së Kosovës.
Ky veprim i hyrjes së ushtrisë serbe ne këtë pjesë të territorit të Kosovës me keqardhje po vazhdon edhe pas 20 viteve të çlirimit jo të plotë të Kosovës. Apelojmë te KFOR-i si dhe institucionet e Kosovës të marrin masa adekuate që mos të përsëriten këto veprime të ushtrisë serbe, sepse ka ndikuar dhe po ndikon përveç në shqetësimin po ashtu edhe në shpërnguljen e qytetarëve të zonës kufitare të Karaçevës.