
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nëse ka marrë masa më të mëdha për sigurinë e tij, pasi kishte pranuar një kërcënim me jetë.
Kurti tha se nuk frikësohet dhe se do të jetë në punë për çdo ditë, duke theksuar se personat të cilët e kanë dërguar atë kërcënim, nuk e kanë pasur për të, por për Gjykatën Kushtetuese.
“Për gjendjen e sigurisë nuk është se unë mund ta vlerësoj atë, janë organet kompetente dhe është siguria dhe mbrojtja e kryeministrit që e bën një gjë të tillë. Por ata që më kanë kërcënuar mua nuk mund ta kenë me mua, ata e kanë pasur me dikë tjetër, e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese, sepse duket se është në panik, presidenti të cilit po i humbet rasti. Dekreti i Presidentit nuk mund të shndërrohet në shkrim të Kushtetutës, nëse Kushtetuta ngelet e heshtur për çështje të caktuara nuk mund ta flas presidenti për këtë. Dekreti i presidentit ndodhet në Gjykatë. Po e theksoj se me atë kërcënim që ka ardhur në adresën e kryeministrit e kanë ditur se me mua nuk funksionon do ta kenë pasur me tjetër kënd”, tha Kurti.