
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familarëve të shtatzënës nga Gjakova, e cila ka vdekur sot pas infektimit me COVID-19, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se kjo është një humbje shumë e madhe, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës
“V.P., nënë e një vajze dhe një djali, ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo ishte në javën e 28 të shtatzënisë. Por, fatkeqësisht, ajo nuk pati rastin që ta përqafojë foshnjën e saj as edhe njëherë të vetme. Edhe pse shumë prej nesh nuk e njohëm bashkëqytetaren tonë, ky rast sot na pikëlloi tej mase.
Jam njoftuar që gjendja e saj ka qenë e rënduar prej kur është pranuar në Klinikën Infektive në Prishtinë me 15 prill. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe kujdesit ndaj tyre, nëna dhe fëmija ndërruan jetë”, ka shkruar Kurti.