×
  • Opinione
  • Opinione

    Kur teoricienët e konspiracionit udhëheqin shtete

    FrontOnline
    06 Tetor 2022

    Nga: Gideon Rachman / The Financial Times

    Më parë kam menduar se teoritë e konspiracionit kanë qenë strehë e të pafuqishmëve dhe të paarsimuarve. Bindja se forcat e errëta dhe të fshehta manipulojnë ngjarjet botërore, ishte shenjë e një amatori, që kalonte kohë në internet ose duke bërtitur në rrugë. Në korridoret e pushtetit, njerëzit i dinin gjërat më mirë. Teksa nëpunësit civilë britanikë pëlqejnë të pëshpëritin, kur gjërat shkojnë keq ky zakonisht është “gabim, jo komplot”.

    Por, teoricienët e konspiracionit kanë lëvizur nga rrugët në seli. Janë bërë presidentë të shteteve, përfshirë Turqinë dhe Brazilin. Në ShBA, Donald Trumpi – i cili komplotet kundër tij i sheh kudo -planifikon rikthimin e vet politik. Teoricieni më i rrezikshëm i konspiracionit, nga të gjithë, është Vladimir Putin i cili aktualisht po kërcënon botën me luftë bërthamore.

    Fjalimi i tij i javës së kaluar, duke njoftuar aneksimin e paligjshëm të pjesëve të Ukrainës, ishte përplot i mbushur me mendime konspirative. Sipas Putinit, Perëndimi në përgjithësi nuk “do që të jemi të lirë; ata duan të jemi koloni … Duan të na vjedhin”. Në rastet e mëparshme, Putini dhe këshilltarët e tij kryesorë janë referuar te teoria e konspiracionit e “miliardit të artë”. Kjo thotë se Perëndimi ka vendosur që bota ka burime të mjaftueshme vetëm për të mbështetur një miliard njerëz – dhe se për këtë arsye synon të shpërbëjë Rusinë dhe t’i vjedhë burimet e saj. Javën e kaluar ai pretendoi se vendet perëndimore kanë braktisur fenë dhe kanë përqafuar “satanizmin”.

    Është gjithnjë e më e qartë se Putini në të vërtetë beson te shumë prej teorive të konspiracionit që ai i hedh. Një pamje thellësisht konspirative e botës ka nxitur veprimet e tij për vite me radhë. Vazhdimisht ka këmbëngulur se “revolucionet me ngjyra” në Ukrainë dhe në Gjeorgji nuk ishin lëvizje spontane dhe demokratike, por “grushte shteti” të prodhuara nga agjencitë perëndimore të inteligjencës.

    Putini është shumë i rrezikshëm. Por, ai nuk është i vetmi president që është edhe teoricien konspirativ. Teksa përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje, udhëheqësi i Brazilit, Jair Bolsonaro, po e promovon idenë e një komploti të madh të majtë për t’ia vjedhur zgjedhjet. Ai gjithashtu ka përqafuar teorinë e padëshmuar se koronavirusi është prodhuar në një laborator.

    Giorgia Meloni, që pritet të jetë kryeministre e ardhshme e Italisë, është e dhënë pas teorive konspirative. Ka flirtuar me teorinë e “zëvendësimit të madh” – thotë se ekziston një plan, i hartuar nga financierët elitarë, për ta zbehur kulturën e krishterë të Evropës, duke e promovuar imigracionin. Qëllimi përfundimtar, me sa duket, është t’i kthejë evropianët në “skllevër” dhe konsumatorë të pamend, të zhveshur nga identitetet kombëtare dhe gjinore.

    Në një parashikim të zymtë, Meloni – si Trumpi dhe Viktor Orbáni në Hungari – ka sugjeruar se figura kryesore që punon kundër vendit të saj është financuesi dhe filantropisti hebre, 92-vjeçar George Soros. “Kur je skllav, vepron në interes të Sorosit”, ka deklaruar ajo.

    Një lider tjetër i fuqishëm që kundërshton Sorosin është Recep Tayyip Erdoğani. Presidenti i Turqisë, për problemet ekonomike të vendit të tij shpeshherë fajëson jo paaftësinë e vet, por një “lob misterioz të normave të interesit” që supozon se për njerëzit e zakonshëm dëshiron të vendosë norma të interesit me fajde.

    Ngritja e Trumpit e shkatërroi çdo iluzion se ndaj gjërave të tilla janë imune demokracitë e vendosura mirë në Perëndim. Ish-presidenti, dhe ndoshta i ardhshmi, e nisi karrierën politike duke promovuar gënjeshtrën e “vendlindjes” – që thoshte se Barack Obama nuk ka lindur në ShBA. Që atëherë, ai ka qenë promotor i madh i teorive konspirative. Kjo kulmoi me këmbënguljen e tij se atij iu vodhën zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

    Teoritë e konspiracionit kanë ekzistuar për shekuj me radhë, që nga epoka e djegies së shtrigave, si dhe më parë. Por, në epokën tonë të globalizimit, ato veçanërisht janë të favorizuara nga nacionalistët ekstremë, të cilët shohin forca të huaja në hije, që fshihen pas çdo pengese apo poshtërimi kombëtar.

    Tërheqja në teoritë e tilla përfshin largimin nga realiteti, i cili më pas i fton fatkeqësitë e mëtejshme. Teksa gjërat shkojnë për keq, reagimi i natyrshëm për një teoricien konspirativ është ta dyfishojë atë, duke pohuar se katastrofat që kanë prodhuar politikat e tyre janë dëshmi e mëtejshme e komplotit fillestar.

    Presioni i ngjarjeve, normalisht mund t’i bëjë edhe politikëbërësit racionalë të futen në mbulesën e rehatisë së teorive konspirative. Në kulmin e krizës së euros, takova politikëbërës të BE-së që flirtonin me idenë se gjithçka ishte shkaktuar nga fondet mbrojtëse, në komplot me Financial Times-in. Tani që është radha e Britanisë të kalojë në krizën financiare, disa komentues të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar dyshojnë për një komplot të huaj për ta prishur Brexit-in.

    Ata liderë që tashmë ishin të prirë për mendim konspirativ, priren të bëhen edhe më paranojakë, pasi gjërat shkojnë keq. (Me fjalët e pavdekshme të Kenneth Williams në komedinë “Carry on Cleo”, “Turp, turp, të gjithë ata janë të inatosur me mua.”) Fjalimi i Putinit për aneksim, javën e kaluar, ishte shembull klasik. Gjithçka që ka shkuar keq për Rusinë, që nga vendimi i tij për ta pushtuar Ukrainën, u citua si dëshmi e mëtejshme e komplotit djallëzor perëndimor që “justifikoi” në radhë të parë pushtimin.

    Disa vjet më parë, ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, sugjeroi se Putini kishte humbur kontaktin me realitetin dhe se po jeton “në një botë tjetër”. Është ajo botë në të cilën armiqtë dhe komplotet e fshehura janë të shumta. Është bota e teorive konspirative. Tragjikisht, imagjinata e sëmurë e Putinit ka nisur një luftë të panevojshme, brutale dhe gjithnjë e më të rrezikshme./ Telegrafi.com

    Nga Rubrika
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Opinione06 Janar 2025
    Nga Hisen Berisha: Refuzimi i Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale dhe institucioneve shtetërore shfaq një problem më të thellë sesa një mosmarrëveshje...
    Të tjera
    Vip08 Janar 2025
    Sara e ka pyetur Leon nëse ai mendon se e ka publikun kundër tij, pas nominimit kokë më kokë Drilonin dhe Gjestin,...
    Lajme08 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas vizitës së tij në Prizren, ka shkruar për angazhimin dhe...
    Lajme08 Janar 2025
    Mërgimtarët që qëndruan në Kosovë për festat e fundivit tashmë kanë filluar të largohen. Në Dheu i Bardh pritjet për të dalë...
    Lajme08 Janar 2025
    Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj sot ka takuar përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës. Haradinaj tha se...
    Lajme08 Janar 2025
    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se viti 2025 do të jetë një vit me sfida, por se ai...
    Vip08 Janar 2025
    Gjesti ka ndërprerë të hënën rrugëtimin e tij në Big Brother VIP Kosova për të mos qëndruar shumë gjatë në “liri”. Menjëherë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.