×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri Kurti zbuloi pllakën përkujtimore të Masakrës së Pastaselit

    FrontOnline
    31 Mars 2023

    Në 24-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te lapidari dhe varrezat e dëshmorëve.

    Së bashku me tre të mbijetuarit e kësaj masakre dhe Kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, zbuloi pllakën përkujtimore të të rënëve në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit.

    Duke kujtuar viktimat e gjenocidit të Serbisë, Kryeministri Kurti tha se të përbashkuar në këtë vend, ku forcat serbe e kryen masakrën e Pastaselit plot 24 vite më parë, ne shënojmë historinë e këtyre viktimave dhe denoncojmë kryerësit e këtij krimi.

    Kjo masakër, nga e cila ende ka persona të zhdukur, u krye vetëm një javë pas fillimit të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, duke vrarë e masakruar 106 shqiptarë.

    “Pushkatimet këtu kanë ndodhur në disa grupe dhe grupi i parë i të pushkatuarve është përbërë nga fëmijët prej moshës 13 deri në moshën 17 vjeçare. Kjo tregon se çfarë mizorie e barbarie përbën krimi i pashembullt i Serbisë gjenocidale këtu në Pastasel më 31 mars të vitit 1999.

    Kryeministri Kurti tha se si përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës bashkërisht e kemi për obligim t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë të gjitha jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore.

    Ngritja e kësaj pllake përkujtimore, është jo vetëm një shenjë, por edhe një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës tonë për drejtësi, tha kryeministri Kurti.

    Në këtë tubim përkujtimor, të pranishëm ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, si dhe përfaqësues institucionalë e qytetarë të shumtë.

    Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

    I nderuar Kryetar i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi,

    E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

    I nderuari Kryetar i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z. Andin Hoti,

    I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Visar Korenica,

    Të nderuar të mbijetuar të masakrës së Pastaselit,

    Të dashur familjarë të dëshmorëve dhe martirëve,

    Invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

    Të nderuar të pranishëm,

    Zonja dhe zotërinj,

    Motra dhe vëllezër,

    Zot jemi këtu për ta ruajtur dhe kultivuar kujtimin e viktimave të gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

    Duke u përbashkuar në këtë vend, pikërisht këtu, ku forcat serbe e kryen masakrën e Pastaselit plot 24 vite më parë, ne shënojmë historinë e këtyre viktimave dhe denoncojmë kryerësit e këtij krimi.

    Vazhdimësia e traditës së këtij kujtimi, është garanci e lidhjes së fortë mes kujtimeve nga një brez në tjetrin.

    Me 31 mars të vitit 1999, policia serbe vrau dhe masakroi 106 shqiptarë të paarmatosur këtu në Pastasel për të vetmen arsye, se ishin shqiptarë.

    Vetëm një javë pas fillimit të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, fshati pastasel i Rahovecit u bë vendi, ku humbën jetën nga armët e policëve të Serbisë plot 106 njerëz nga Pastaseli, por edhe nga fshatrat tjera si, Senoci, Gremniku, Kazniku, Kramoviku, Palluzha, Çifllaku, Zatrqi, Guri i Kuq dhe vende e zonash të tjera.

    Nga kjo masakër kemi ende persona të zhdukur me dhunë.

    Rrjedhën e ngjarjeve të masakrës së Pastaselit, ju banorë të kësaj zone e dini shumë më mirë se sa unë.

    Për këtë, sot këtu e kemi edhe Tahir Krasniqin, i mbijetuar i kësaj masakre, sikurse dëshmitarë të tjerë jo vetëm të asaj dite të 31 marsit 1999, por të asaj kohe të tmerrshme lufte, të mbushur me vdekje dhe vuajtje, që Serbia pushtuese ua pati shkaktuar shqiptarëve të Kosovës.

    Në këtë fazë të luftës, në pranverën e vitit 1999, Serbia paralizonte planin “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

    Në kuadër të këtij projekti gjenocidal, autoritetet serbe kishin planifikuar si teknikë të dëbimit edhe terrorizmin e popullsisë shqiptare dhe ç’ rrënjosjen e saj nga Kosova nëpërmjet vrasjeve masive të civilëve të pambrojtur.

    Ju e dini mirë që pushkatimet këtu kanë ndodhur në disa grupe dhe grupi i parë i të pushkatuarve është përbërë nga fëmijët prej moshës 13 deri në moshën 17 vjeçare. Pra, synimi ka qenë që njëherë të tjerët, të rriturit e të moshuarit para se të pushkatohen t’i shohin fëmijët duke u pushkatuar. Kjo tregon se çfarë mizorie e barbarie përbën krimi i pashembullt i Serbisë gjenocidale këtu në Pastasel më 31 mars të vitit 1999. Por, kështu vepruan edhe gjetiu. Vepruan ngado në Kosovë, në Likoshan dhe Qirez, në Abri, pastaj në Reçak, në Izbicë, në Studime, në Poklek, në Qyshk, në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe, në Meje të Gjakovës dhe anembanë Kosovës.

    Një çerek shekulli nga koha e luftës në Kosovë ju si familjarë të viktimave të luftës dhe ne si përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës bashkërisht e kemi për obligim t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë të gjitha jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore.

    Andaj, në këtë përvjetor të 24-të të masakrës së Pastaselit ngritja e kësaj pllake përkujtimore, pikërisht në vendin ku më 31 mars 1999 u vranë 106 shqiptarë, është jo vetëm një shenjë, por edhe një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës tonë për drejtësi.

    Duke kaluar nga kujtesa te historia dhe nga denoncimi te ndjekja ligjore, si kryeministër i Kosovës dua ta ritheksoj përkushtimin tim maksimal, jo vetëm për kujtimin e viktimave të luftës, por edhe për studimin e historisë dhe të trashëgimisë së tyre si dhe angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.

    Thirrja dhe gatishmëria jonë qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të hasë në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Republikës së Kosovës.

    Lavdi të gjithë 106 të rënëve të masakrës së Pastaselit dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për ta dhe për secilën jetë të dhënë në rrugën tonë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.

    Ju faleminderit.

    Comodita “pushton” Amerikën, dyshekët e saj në top 5 produktet më të shitura
    Nga Rubrika
    Lajme26 Prill 2024
    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku gjatë pasditës pritet të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht...
    Lajme26 Prill 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje mbi takimet që ka zhvilluar këtyre ditëve në Gjermani. Ai tha se kryefjala e vizitës së...
    Lajme26 Prill 2024
    Klanin mund ta kenë inspirim, që në Kosovë të fillojnë një ndërtim. Kompania e njohur me seli në Zvicër “Lika Group”, themeluar...
    Të tjera
    Lajme26 Prill 2024
    Kryetari I LDK-së, Lumir Abdixiku ka njoftuar për agjendën që do ta ketë gjatë vizitës në Gjermani. Ai ka paralajmëruar se do...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje partnerëve perëndimorë që t’i japin shtetit të tij sisteme shtesë të mbrojtjes, me qëllim...
    Lajme26 Prill 2024
    Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KODE), ka organizuar aktivitetin “Shkolla e 100-të” e lidhjes së 100 shkollave...
    Vip26 Prill 2024
    Këngëtari Bardhi, i cili ua mori zemrat publikut edhe më shumë me paraqitjen e tij në Big Brother VIP Albania, sapo ka...
    Lajme26 Prill 2024
    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka marrë pjesë në takimin e grupit punues për migrim, të ftuar nga...
    Sport26 Prill 2024
    Drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka kontaktuar me Lille për të eksploruar një lëvizje Edon Zhegrovën. “Bianconerët” po përgatiten për një afat...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.