Kompania Rajonale Ujësjellësit ‘Hidrodrini’ në Pejë ka njoftuar se punonjësit nga Njësia Operative e Pejës, po vazhdojnë inspektimin dhe hulumtimin e rasteve të keqpërdorimeve dhe kyçjeve ilegale në komunën e Pejës. Krahas këtyre aksioneve ‘Hidrodrini’ apelon tek konsumatorët për përdorim racional të ujit.

Në njoftimin e “Hidrodrinit” thuhet se mbrëmë dhe sot aksioni është shtrirë në BT ‘Kristali’ dhe rezultatet e para janë inkurajuese, me ç’rast është arritur të stabilizohet fuqia furnizuese e mjaftueshme me ujë për komunitetin e kësaj bashkësie të madhe territoriale të Pejës.

Sipas KRU “Hidrodrini” specialistët e kësaj kompanie, kanë angazhuar edhe makineri të rëndë në detektimin e valvulave furnizuese e ku kanë hasur në keqpërdorime, me ç’rast kanë intervenuar në shkëputje.

Njoftimi i plotë i KRU “Hidrodrini”:

KONTROLLET E SHTUARA MBI KEQPËRDORIMET E UJIT – JAPIN REZULTATET E PARA

Punonjësit e KRU ‘Hidrodrini’ nga Njësia Operative e Pejës, mbrëmë dhe sot kanë vazhduar kontrollet dhe hulumtimin e rasteve të keqpërdorimit të ujit dhe kyçjeve ilegale në komunën e Pejës!

Rezultat i kësaj ndërmarrësie, në BT ‘Kristali’, (Rrugën Jeton Dedushaj dhe rrugët lidhëse të saj), është bërë i mundur stabilizimi i fuqisë furnizuese të mjaftueshme me ujë për komunitetin e kësaj Bashkësie të Madhe Territoriale të Pejës.

Specialistët e KRU ‘Hidrodrini’, kanë angazhuar edhe makineri të rëndë në detektimin e valvulave furnizuese e ku kanë hasur në keqpërdorime, me çrast kanë intervenuar në shkëputje.

Aksioni po vazhdon dhe do shtrihet si në Pejë, ashtu edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë; Istog, Deçan, Klinë e Junik!

Kujtojmë paraprakisht, se më 15 Maj të këtij viti, Konsumatorët e kyçur ilegalisht, kanë qenë të ftuar publikisht që të shfrytëzojnë mundësinë e legalizimit të lidhjes, sipas rregulloreve të ARRU dhe normave teknike për shfrytëzim racional të ujit të pijes, pa pasoja ndëshkimore.

KRU ‘Hidrodrini’, për këtë kategori konsumatorësh-keqpërdorues kujton se, do hapen edhe procedura ligjore konform ligjit dhe do aplikohen gjoba sipas rregulloreve të parapara.

KRU ‘Hidrodrini’ mbetet i përkushtuar në zotimin për furnizim 24 orësh me ujë, por apelon tek konsumatorët për përdorim racional.

Me respekt;
Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’ – Pejë