Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me GIZ-in gjerman kanë nisur një aksion për eliminimin e mbi 30 pikave të deponive pa leje në qytet dhe në fshatra të kësaj komune. Që në fillim të këtij aksioni janë pastruar dhjetëra tonë me mbeturina inerte dhe sanitare.
Ndërkohë, Komuna e Ferizajt ka caktuar një pikë grumbulluese për mbeturina në afërsi të fshatit Dremjak, e cila është pronë e agjencisë së pyjeve. Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Ferizajt, Arben Halili, ka thënë se parcelën për hedhjen e mbeturinave e kanë marrë me qira për pesë vjet.
“Ky lokacion me hapësirë të madhe për hedhjen e mbeturinave është përcaktuar edhe nga Kuvendi Komunal. Aktualisht jemi duke bërë pastrimin e dy llojeve të mbeturinave në qytet dhe nëpër fshatra në bashkëpunim me GIZ-in gjerman”, ka thënë Halili. Sipas tij, Inspektorët komunalë fillimisht kanë bërë identifikimin e mbi 30 pikave të ndryshme të deponive me mbeturina.
“Menjëherë pas identifikimit të këtyre deponive në bashkëpunim me dy kompaninë rajonale për mbeturina “Pastërtia” si dhe Kompaninë Publike “Ambienti”, kemi filluar aksionin për heqjen e tyre, ka thënë Halili. Sipas tij, ky aksion do të vazhdojë edhe ditëve në vazhdim, derisa të bëhet heqja e të gjitha këtyre deponive në qytet po ashtu edhe në fshatrat e qytetit të Ferizajt. Po ashtu Halili ka shtuar se komuna është duke vendosur edhe shenja të komunikacionit për ndalimin e hedhjes së mbeturinave në vendet e ndaluara.