Klevis Vaqari nga organizata e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve “KOMF”, në një prononcim për Front Online ka thënë se duhet të punohet në shëndetin mendorë të fëmijëve që janë kthyer në shkolla.
“Sjellja e fëmijëve në shkolla do të ndikohet edhe nga niveli i ankthit, traumës dhe përjetimit të gjithë kësaj situate në muajt e fundit. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të punohet drejt shëndetit mendor të fëmijëve që janë rikthyer nëpër shkolla. Shëndeti mendor njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të madhe jo vetëm në zhvillimin e fëmijëve”, ka thënë Vaqari për Front Online.
Për të pasur më të lehtë adaptimin e fëmijëve me rregullat e distancimit social Vaqari thotë se e rëndësishme është që mësimdhënësit së bashku me prindërit t’u shpjegojnë fëmijëve se sa i rëndësishëm është distancimi në këtë kohë.
“ Është shumë e rëndësishme që prindërit, kujdestarët, mësuesit e të tjerët te shpjegojnë vazhdimisht tek fëmijët se përse kjo sjellje është e rëndësishme për tu aplikuar dhe se sa një sjellje e tillë e ndihmon dhe e mbron shëndetin tonë dhe atë të personave të dashur. Fëmijët duhen mbështetur dhe udhëzuar vazhdimisht rreth sjelljeve që promovojnë ruajtjen e shëndetit”, ka thënë Vaqari.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte marrë vendim që nga 11 marsi të mbylleshin shkollat, si masë parandaluese ndaj përhapjes së Coronavirusit, për të vazhduar më mësimin online./Front Online
Psikologu zbulon pasojat e Covidit tek fëmijët, alarmon institucionet