
Me shënimin e 9 rasteve të reja mbrëmë me virusin COVID-19, Komuna e Ferizajt e ka marrë primatin si qyteti me më së shumti të prekur nga Coronavirusi. Vatra e përhapjes së Coronavirusit në këtë qytet, u bë Kampi “Bondsteel”, i cili njëherësh është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë, raporton Front Online.
86 nga 90 të prekurit me virus nga ky qytet, janë punonjës të kësaj baze ose familjarë të të infektuarve, teksa deri më tani jetë kanë ndërruar edhe 2 të prekur e që në Kamp ishin shoferë.
Lidhur me këtë çështje në një përgjigje për portalin Front Online, nga Zyra për Informim e KFOR-it në Kosovë, është njoftuar që tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat më të rrepta për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi. Siç bëjnë me dije ata në rast infektimit të personelit ushtarak, trajtimi do të bëhet brenda kampit dhe jo jashtë, për shkak të mos ekspozimit të virusit në ambiente të jashtme.
E personat që tregojnë shenja të infektimit nga virusi, i pret karantina. Këtë e kanë konfirmuar për portalin Front Online edhe zyrtarë të KFOR-it në Kosovë.
“Ashtu si në pjesën tjetër të shoqërisë, disa nga pjesëtaret e personelit tanë janë testuar pozitiv, dhe për fat të keq dy punëtorë civilë humbën jetën. Cilido ushtar i KFOR-it që tregon shenja të infektimit nga COVID-19 apo ka pasur kontakte me dikë të infektuar, vendoset në karantinë”, bëhet e ditur në përgjigje.
Në rast se me virus preken edhe ushtarët e KFOR-it, atëherë të njëjtit do të trajtohen në bazat e KFOR-it dhe jo në Klinikën Infektive në Prishtinë.
“Nëse ushtarët e KFOR infektohen, ata trajtohen ne hapësirat mjekësore në bazat e KFOR-it dhe futen në karantinë për të zvogëluar ekspozimin, përpara se të evakuohen”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it./Front Online
Pas konfirmimit të 90 rasteve me Coronavirus në Ferizaj, KFOR-i merrë masa të rrepta