Shkruan Blerim Shala:
Udhëheqësia e Serbisë, në krye me Presidentin Aleksandar Vuçiq, ka politikë konsistente, parimore, këmbëngulëse dhe madje, fare të sinqertë kur bëhet fjalë për raportin e Serbisë me Kosovën, si dhe me synimet e BE-së dhe të SHBA-së që dialogu në mes të autoriteteve më të larta të këtyre dy shteteve të përmbyllet me normalizimin e plotë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.
Në vitet e fundit, Beogradi zyrtar nuk ka pasur kurrfarë lëkundje, luhatje apo mëdyshje në trajtimin e çështjes së dialogut dhe të rezultateve të fundit të tij (të vitit 2023), në formë të Marrëveshjes themelore dhe të Aneksit të Ohrit.
Për më shumë, në asnjë rast të vetëm, Presidenti i Serbisë Vučić dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk e kanë fshehur apo kamufluar këtë qëndrim të tyre.
Nuk ka të drejtë, prandaj, askush në rajon dhe më gjërë, në kryeqendrat perëndimore të pohojë që është zënë në befasi me pozicionimin e lidershipit të Serbisë karshi Kosovës dhe procesit të dialogut.
Ta zëmë, pak ditë më parë, Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, në Kuvendin e Serbisë, duke u përgjigjur në pyetjen e një deputeti, dy herë përsëriti (për të mos i lënë vend dyshimeve), që Serbia nuk e ka pranuar Propozimin franko-gjerman, dhe që Serbia nuk do ta pranojë Kosovën, as në mënyrë implicite e lëre më në mënyrë eksplicite.
Ky është qëndrim i cili dihet botërisht që nga 19 marsi i vitit të kaluar, kur Presidenti Vuçiq iu drejtua mediave një ditë pas dakordimit verbal të dy palëve për Aneksin e Ohrit.
Lideri serb ia bëri me dije atë ditë mediave në Beograd dhe kryeqendrave perëndimore, që Serbia ka si prioritet ruajtjen e Kushtetutës së Serbisë, dhe që për te, interes jetik është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Për më shumë, Vuçiq atë ditë dhe më vonë pati përsëritur që Serbia nuk ka kurrfarë detyrimi kur flitet për Marrëveshjen themelore dhe Aneksin e Ohrit. Të gjitha obligimet i takojnë palës kosovare.
Në javët dhe muajtë vijues të vitit 2023, do të kuptohet në mënyrë edhe më të qartë që për Beogradin zyrtar nuk ka Marrëveshje themelore dhe Aneks të Ohrit, teksa ky qëndrim do të artikulohet në mënyrën në precize të mundshme me Letrat që Kryeministrja e aëhershme serbe, Ana Bërnabiq, ia drejtoi EEAS-it, në muajin dhjetor të vitit 2023.
Në këtë mënyrë, has pas hapi, deklaratë pas deklarate, mund të mbërrihet te kjo e fundit e Kryeministrit Vuçeviq, e cila në një mënyrë është rekapitulim i të gjitha prononcimeve të mëparme të Beogradit zyrtar.
Në këtë kontekst, ajo çfarë ndodhi në Banjskë të Zveçanit, në muajin shtator të vitit të kaluar, kur një grup paramiltar serb sulmoi Veriun e Kosovës, është as më pak dhe as më shumë konsekuencë e logjikshme dhe e pritshme e kësaj politike zyrtare të Serbisë.
Nuk do të kishte kurrë një agresion të kësisojt në Veriun e Kosovës, jo vetëm pa të gjitha ato veprimet përgatitore të strukturave të sigurisë të Serbisë me grupin e Milan Radojiçiqin, por para dhe mbi të gjitha, pa këtë politikën e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të udhëheqësisë së Serbisë.
Në këtë mënyrë, me këtë qasje, me këtë politikë, me këtë pozicionim, Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe Qeveria e tij, kanë qartësuar që nuk janë fare të interesuar për zbatimin e këtyre dy Marrëveshjeve (sepse as që i njohin ato), si dhe nuk e kanë aspak prioritet normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Për Serbinë kjo gjendje aktuale e Status Quo-së (e cila tash e sa vite nga Administrata Amerikane vlerësohet si interes vetëm i Rusisë së Vladimir Putinit), mund të zgjasë pa kufi.
Për këtë shkak, nuk mund të pritet asgjë në javët dhe muajtë e ardhshëm të këtij viti, i cili do t’ia bartë vitit të ardhshëm një barrë të madhe të problemeve të cilat duhej të zgjidheshin me dialog.
Dialogu në të vërtetë u bë, për shkaqet e përmendura tashmë, burim i problemeve e jo zgjidhje e tyre.
Sidoqoftë, krijimi i Komisionit të ri Evropian dhe i Administratës së re Amerikane (pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit), pritet të krijojnë rrethana më të volitshme për ndryshimin pozitiv të rrjedhës së këtij procesi që sot është më larg se kurrë atij synimi të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.