Katër persona janë arrestuar të martën lidhur me keqpërdorime në Telekom.
Kështu po thonë nga Policia e Kosovës për Front Online.
Sipas policisë të arrestuarit po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Front Online.
Front Online merr vesh se të arrestuarit janë Armend Osaj dhe Trim Musliu.
Trim Musliu ka qenë drejtor i Marketingut në Telekom dhe Armend Osaj, drejtor i Financave.
Bashkë me ta janë arrestuar edhe Denis Ceman i cili ishte këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Ndërkaq personi i katër është Kreshnik Musliu, vëllai i Trim Musliut./Front Online/