Nga: Moira Donegan / The Guardian
Në ditët e panikut pas performancës së tij katastrofale në debat, disa javë më parë qe koha më e mirë për Joe Bidenin që të largohej nga gara presidenciale. Publiku amerikan kishte parë në atë skenë një njeri të paaftë për të vazhduar fushatën energjike kundër Donald Trumpit – diktatorit të mundshëm – dhe i cili ose nuk ishte në gjendje ose nuk ishte i gatshëm të bënte mbrojtje të arsyeshme dhe parimore për të drejtave të abortit si çështja më e fortë e demokratëve.
Javët që pasuan kanë qenë të mbushura me tensione nga klasa e ekspertëve, përgojime dhe rrjedhje në shtyp të ballafaqimeve nga aleatët e presidentit dhe ata të brendshmit e Partisë Demokratike të cilët donin që ai të largohej, si dhe të ankthit nga baza e partisë dhe nga publiku të cilët panë se demokratët po bien në luftime të brendshme në vend që të paraqisnin një alternativë kuptimplotë ndaj autoritarizmit trumpian. Koha më e mirë për braktisje do të kishte qenë më herët se gjithë kjo, kur u bë e qartë thellësia e shqetësimit për qëndrueshmërinë elektorale të Bidenit. Ai ka mundur ta kursejë partinë dhe vendin e tij në këto javë të kaosit.
Koha e dytë më e mirë është tash. Duke u tërhequr nga gara presidenciale, Bideni vendit ia dha shansin për ta luftuar Trumpin dhe për të shmangur më të keqen e asaj që e djathta ekstreme ka planifikuar për Amerikën. Ka zgjedhur të ruajë perspektivën e fitores demokrate në nëntor – edhe në kurriz të egos së vet, edhe me çmimin e asaj që paraqet poshtërim të thellë personal. Shumë politikanë – më së shumti vetë Trumpi – e kanë bërë të qartë se nuk ka asgjë që ata vlerësojnë më shumë sesa madhërimi i vetvetes. Bideni ka treguar se ka diçka që ai e vlerëson më shumë se veten. Çfarëdo që mendoni për njeriun Biden, të dielën ai bëri një gjest të ndershëm.
Gjithashtu, kjo ashiqare nuk ishte sakrificë e lehtë për t’u bërë. Shpejtësia dhe përmbajtja e rrjedhjeve nga kampet pro dhe kundër tërheqjes – brenda Partisë Demokratike, gjatë javëve të fundit – e kanë bërë të qartë se Bideni dëshironte të rrinte në garë; se për disa kohë mohonte perspektivat e veta zgjedhore dhe se ishte i zemëruar për kërkesat për largim. Gjatë fundjavës u tërhoq në shtëpinë e vet në plazh, ku thuhet se vlonte nga inati. Nuk ishte e lehtë përballja me vdekshmërinë, me padrejtësinë e moshës dhe me pragmatizmin mizor të politikës elektorale.
Mirëqenia e vendit mbështetej nga zgjedhja e tij për këtë sakrificë, dhe kjo nuk ishte e qartë më herët. Në një intervistë pas debatit me George Stephanopoulosin – e cila kishte për qëllim të forconte besueshmërinë e Bidenit pas performancës së tij të tmerrshme – presidenti pyetet se si do të ndihej po të qëndronte në garë dhe ta humbte atë? A do të ndjente se ka ndihmuar për të sjell një tjetër administratë të Trumpit? Përgjigja e Bidenit zbuloi shumëçka; nuk foli për kombin, por për vetveten. “Ndjej se, për aq kohë sa kam dhënë gjithçka dhe kam bërë punë aq të mirë sa di të bëj, fjala është për këtë”, tha ai.
Por, nuk është fjala për këtë: fitorja e Trumpit do të sillte vuajtje dhe mungesë dinjiteti për amerikanët: për emigrantët për të cilët premton se do t’i dëbojë, për gratë për të cilat premton se do t’ua privojë mundësinë e abortit, për miliona të cilët meritojnë të thithin ajër të pastër, të pinë ujë të pastër dhe të kenë qasje në arsimimin dhe kujdesin mjekësor. Në vitin 2020, Bideni e fitoi nominimin e partisë pjesërisht për shkak të përqendrimit të tij të vetëm në mposhtjen e Trumpit, në premtimin e tij – përpara të gjitha prioriteteve të tjera – për të luftuar kërcënimin e autoritarizmit. Tashti, dukej se egoizmi e eklipsoi atë premtim. Është e qartë se u tundua të bënte gjënë e gabuar. Është merita e tij se e bëri atë që duhej bërë.
Menjëherë pasi njoftoi tërheqjen nga gara, Bideni lëshoi deklaratën ku miratoi zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harris, për të qenë në krye të garës. Lëvizja ishte e shkathët, duke shmangur garën kaotike, duke ndërprerë fantazitë e çuditshme dhe shkatërrimtare të një të ashtuquajture “zgjedhje blic” dhe duke vulosur në mënyrë efektive nominimin e Harrisit përpara konventës në Çikago në muajin e ardhshëm. Lëvizja do të lejojë gjithashtu kandidaten e re të marrë merita për arritjet e Bidenit – për ekonominë thelbësisht të fortë, çmimin tavan për insulinën, shpërthimin në prodhimin e energjisë së gjelbër dhe një kontribut të gjerë dhe popullor për klimën dhe vendet e punës – duke qenë në gjendje të ndryshojë kursin dhe të rillogarisë disa nga zgjedhjet më të papëlqyeshme ose më të pambrojtshme të Bidenit, si mbështetja e tij për luftën gjenocidale të Izraelit ndaj palestinezëve në Gazë.
Kjo lëvizje gjithashtu ndryshon rolin që luan ndjeshmëria e moshës në garë. Në moshën 59-vjeçare, Harrisi nuk është grua e re, por është e shkathët për standardet e politikanëve elitarë amerikanë. Në anën tjetër, Trumpi është 78 vjeç, folës i ngatërruar, kryesisht jokoherent dhe dukshëm më i dobët sesa kur nisi të kandidonte për president – gati 10 vjet më parë, në vitin 2015. Trumpi gjithmonë e ka praktikuar politikën e dominimit mashkullor dhe burrëria e vockël tij e shfaqet – sikurse te kanosja ndaj Hillary Clintonit në debatin e tretë presidencial më 2016 – prej kohësh i ka frikësuar liberalët se një grua nuk mundet ta mposht atë; kjo gjithashtu ishte pjesë e propozimit të Bidenit për votuesit në zgjedhjet paraprake të vitit 2020.
Por, Trumpi nuk është figura që ishte dikur. Është lodhur dhe dobësuar, më pak i përqendruar dhe më pak energjik, i ngarkuar nga kritikat në shtyp dhe nga proceset gjyqësore (si ai në të cilin u gjet përgjegjës për sulmin seksual të E Jean Carrollit) dhe ndjekjet penale (si në rastin kur u dënua për 38 krime). Gjithashtu, ngarkohet nga hidhërimi dhe ankesat, duke ia kushtuar një pjesë të mirë të shumicës paraqitjeve publike, numërimit të njerëzve të ndryshëm të cilët i urren dhe duke thënë se i kanë bërë padrejtësi. Është jopopullor, i pakëndshëm, i padisiplinuar dhe jotërheqës. Ai është arsyeja se pse u përmbys Roe v Wade [ligji për abortin] dhe ai dëshiron të jetë diktator. Mund të mposhtet. Dhe, së fundmi, demokratët mund të kenë kandidaten që mundet ta mposht atë.
Kryesorja, me Bidenin jashtë gare dhe me Harrisin që ecën përpara, demokratët tani mund të kenë kandidaten që është avokate elokuente, e patrazuar dhe aktive për çështjen për të cilën Bideni nuk ishte kurrë në gjendje të bënte fushatë bindëse: të drejtat e abortit. Bideni u largua nga aborti dhe gjendja i tij i tërhiqte zvarrë demokratët, duke lënë prapa zgjidhjet për krizën e shëndetit publik, emergjencën e të drejtave civile dhe atutë thelbësore republikane. Me këtë çështje tashmë në rendin e ditës, gara në mënyrë dramatike do të ndryshojë. /Telegrafi/