Ashtu si në të gjithë botën edhe në Shqipëri vjeshta pritet të sjellë rritje të rasteve me koronavirus. Veç virusit pandemik, në qarkullim do të jenë dhe virozat stinore çka do të rrisë alertin në sistemin shëndetësor.
“Do të kemi influencën, gripin, kjo do të bëjë të jemi më në alert dhe të jemi vazhdimisht vigjilentë edhe për të bërë një diagnozë diferenciale të Covid-19 nga infeksionet e tjera stinore”.
Një ditë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve hartoi një paketë rekomandimesh për shkollat, zbatimin e të cilave specialistët e ISHP-së e shohin mjaft të rëndësishme.
“Konkretisht ato do të mbeten tek ruajtja e distancës fizike 1.5 metra, maska nëse i referohemi ciklit të ulët 9-vjeçar rekomandohet, ndryshe nga cikli i lartë 9-vjeçar apo shkollat e mesme, të cilët duhet ta mbajnë këtë maskë. Të gjitha këto nëse do të zbatohen patjetër që do të sjellin një frenim të përhapjes së Covid-19 në vendin tonë”.
Sipas ekspertëve në shkollat dhe tek fëmijët nuk pritet të ketë vatra infeksioni, por vetëm raste sporadike./TV Klan