
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk është ndarë i kënaqur me punën e pasueses së tij në këtë ministri, Albulena Haxhiu. Ai ka theksuar se nga Haxhiu ka pritur më shumë angazhim dhe interesim.
“Kam qenë i dëshpëruar se si realisht as dokumentet që i kam lënë të përfunduara siç ka qenë Kodi Civil, ose Kodi i Procedurës Penale nuk arriti me i sjellë në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër dëshpërim ka qenë edhe procesi i vetingut. Nga një angazhim i tyre jashtëzakonisht i madh në opinion publik gjatë kohës sa ishin në opozitë për vetingun, erdhën në Qeveri dhe gjithë çfarë pamë për vetinguin ishte kërkesa që i`u bë një grupi të shoqërisë civile që t`ua hartojnë idenë se cila do të jetë mënyra që Kosova do ta bëj vetingun”, ka thënë Tahiri gjatë një intervistë për Front Online.
E për mos përfundimin e vetingut, Tahiri tha se me gjasë Kurti dhe Haxhiu për këtë proces kanë dëgjuar vetëm në televizion, raporton Front Online.
“Pra në atë kohë z.Haxhiu dhe ekipi i saj do të duhej që ta kishin idenë e tabluar dhe të krijojnë grupe punuese për hartimin e bazës ligjore dhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në këtë vend për fillimin e procesit të vetingut. Pra nga ajo çfarë kemi parë si nga z.Kurti ashtu edhe nga z.Haxhiu që për vetingun më shumë se sa që kanë dëgjuar në televizion dhe në rastin e Shqipërisë, nuk kanë ide se çfarë është dhe se si duhet të procedohet”, ka thënë tutje ai.