Inspektorati Policor i Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, publikon këtë sqarim lidhur me videon e publikuar dje (02.10.2020) në televizionin T7 në emisionin “ Frontal Live” në ora 17:00 si dhe në lajmet qendrore të të njëjtit televizion.
Inspektorati Policor i Kosovës reagon ndaj kësaj videoje duke e konsideruar se i njëjti është i pa vërtetë dhe sqaron si në vijim:
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj në asnjë moment nuk kanë pranuar ndonjë pako me cigare “si dhuratë” siç përflitet në këtë video.
Hetuesit e IPK-së që shihen në videon e publikuar në TV T7, kanë pasur mbrapa në veturë një të arrestuar të dyshuar si dhe një hetues të krimeve ekonomike të PK-së. Qytetari i cili shihet në videon e publikuar në emisionin “ Frontal Live” duke dhënë diçka përmes derës së veturës zyrtare është duke dorëzuar një pako me cigare dhe barna për personin e arrestuar i cili ka qenë i prangosur mbrapa në veturën zyrtare.
Bazuar në parimet bazë të gazetarisë dhe gatishmërisë së IPK-së për transparencë, mediumi në fjalë do të duhej të merrte edhe versionin zyrtar lidhur me këtë ngjarje.
Sa i përket pretendimeve lidhur me mos reagimin adekuat të zyrtarëve policorë ne vendin e ngjarjes në raport me kërcënimet ndaj gazetarëve, IPK njofton opinionin publik se sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar.
Bazuar në të lartcekurat, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt lidhur me veprimet e hetuesve të IPK-së të cilat janë në përputhje me të drejtat e njeriut për trajtim human të të arrestuarit.