×
  • Lajme
  • Lajme

    Hyseni: Po punojmë ngushtë me SHBA-në që procesi i normalizimit Kosovë-Serbi të ecë shpejt deri në njohje reciproke

    FrontOnline
    04 Gusht 2020

    Koordinatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni ka thënë nga SHBA se Prishtina e sheh rolin e Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi si të pazëvendësueshëm.

    Ai për Zërin e Amerikës, pas takimeve në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë ka thënë se ka marrë angazhimin e Uashingtonit në këtë drejtim. Ai ka theksuar se se dialogu me Serbinë duhet të marrë një dinamikë të re dhe duhet të kulmojë me njohje reciproke.

    Ai është takuar në Uashington me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin në Departamentit e Shtetit, Matthew Palmer dhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

    “Ka një përkushtim të paluhatur në përkrahje të dialogut të filluar në Bruksel dhe një përkrahje të fuqishme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Hyseni.

    Vëzhguesit thonë se ka një mungesë bashkërendimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, lidhur me dialogun Kososvë-Serbi. Por Hyseni tha se nga takimet në Uashington, kjo përshtypje rezulton e gabuar dhe se i është thënë pa ekuivoke se Uashingtoni e përkrah dialogun plotësisht.

    “Do të shohim hapa konkretë të kyçjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, krahas Bashkimit Evropian”.

    Në fund të qershorit, pas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë për akuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi, dështuan planet për një takim Kosovë-Serbi në Uashington. I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell tha më pas se takimi do të bëhej në një datë të ardhme. Hyseni, tha se ishte në kontakt me Ambasadorin Grenell dhe do të zhvillonte një bisedë telefonike me të, pasi ai ndodhej jashtë Uashingtonit. Por nuk përmendi data të mundshme.

    “Ne po punojmë ngushtë me SHBA që procesi i normalizimit të ecë shpejt deri në njohje të plotë reciproke, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha ai.

    Megjithëse Serbia ka këmbëngulur se nuk do ta njohë Kosovën, zoti Hyseni thotë se ndonjëherë në politikë thuhen gjëra që jo domosdoshmërisht përputhen me realitetin dhe njohja reciproke është një rezultat i pashmangshëm.

    “Përndryshe nuk do të kishte kuptim, përndryshe duhet shpallur e dështuar çdo përpjekje, sepse unë e kam bindje të thellë dhe këtë linjë e kemi adoptuar në Kosovë”.

    Ai tha se nuk mund të ketë marrëveshje për çështje të veçanta, pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme dhe të garantuar ndërkombëtarisht.

    I pyetur se çfarë është e gatshme të ofrojë Kosova, ai thotë se ka hapësirë për zgjidhje pa e dëmtuar substancën, por në rrethanat e njohjes reciproke.

    “Kur krijohet ajo barazia nga një pozicion krejtësisht i barabartë, Kosova dhe Serbia mund të zgjidhin të gjitha problemet”.

    Zoti Hyseni i hodhi poshtë zërat e kritikëve që kanë shprehur shqetësimin se bisedimet po rrezikojnë të rrëshqasin në nivel teknik.

    “Mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asgjë teknike deri në përmbyllje të njohjes reciproke. Çdo gjë është skajshëm politike. Çdo gjë bart një dimension politik akut dhe ai dimension politik, akut duhet të adresohet dhe të zgjidhet ekskluzivisht në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes këtyre vendeve”, tha ai.

    Emërimi i Hysenit, ngjalli debate mes partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë dhe u shoqërua me kritika sipas së cilave Lidhja Demokratike e Kosovës, “po i privatizonte bisedimet”.

    Hyseni tha se e mohon kategorikisht nocionin se LDK-ja synon të privatizojë këto bisedime dhe se kjo çështje nuk mund të ecë përpara pa një konsensus të shkallës së lartë brenda forcave politike në Kosovë.

    “Unë do të vazhdoj të insistoj që në këtë proces të jenë të pranishëm të gjithë, Kam kontaktuar çdo lider politik pa përjashtim dhe do të vazhdoj të insistoj nga pozicioni im si koordinator për dialog, që të krijohet një trupë e të barabartëve”.

    Nga Rubrika
    Lajme12 Janar 2025
    Sonte, Hajdar Beqa, kandidati për deputet i PDK-së, përmbylli ditën me një takim të suksesshëm me banorët e Gurit të Kuq në...
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Shtabin Zonal Topliqan-Jetë e Re dhe Grackë e Vogël, ku morën pjesë kryetari...
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Lipjan mbajti sot një takim të rëndësishëm elektoral në Shtabin Zonal Zgjedhor Banullë-Qallapek, ku u...
    Të tjera
    Vip12 Janar 2025
    Influencerja Festa Qoqaj sjell vazhdimisht fotografi të bukura për ndjekësit e saj. E kësaj radhe, Festa ka vendosur që fotografitë e saj...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka shprehur entuziazmin dhe optimizmin e tij pas tubimit të zhvilluar...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka shprehur optimizmin dhe entuziazmin e tij pas një takimi me...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Një grup prej pesë skiatorësh u godit nga orteku mbi fshatin Trasquera në rajonin e Piemonte. Dy mbijetuan dhe u dërguan me...
    Lajme12 Janar 2025
    Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard, ka theksuar se licencimi i mësimdhënësve është një mundësi ideale për zhvillimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve gjatë...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Dyshohet se një 56-vjeçar është vrarë me armë zjarri sonte pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Abcnews.al raporton se personi që dyshohet...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.