Sot në Bruksel do të vazhdojnë takimet e ekipeve të ekspertëve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian qysh në mëngjes sot kanë zhvilluar takime bilaterale me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë dhe një takim trepalësh do të mbahet sot gjatë ditës, ku do të marrin pjesë ndërmjetësuesit nga BE dhe dy delegacionet nga Kosova dhe Serbia.
Delegacionin e Kosovës e drejton Skënder Hyseni derisa atë të Serbisë, Marko Gjuriq.
Peter Stano, zëdhënësi i BE’së, për REL ka thënë se në agjendë të takimeve të sotme janë tema e personave të zhvendosur dhe çështjet ekonomike.
Ky është takimi i dytë në nivelin e ekspertëve në kuadër të dialogut politik për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin e parë të këtij formati i cili është mbajtur javën e kaluar, delegacionet kanë diskutuar për temën e personave të zhdukur.