Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, mori sot pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Senatorit amerikan Bob Dole, në lagjen “Dardania” të Prishtinës.
Hoti duke folur për figurën e senatorit Dole, theksoi se ai është një person që po të lexosh CV-në e tij, punën e tij, pa dyshim që impresionohesh. Kryeministri Hoti u shpreh i bindur që secili nga ne e merr si simbol dhe shembull të përkushtimit se si duhet të ketë një politikan, një atdhetar për vendin e vet në luftë dhe në paqe.
“Unë jam i bindur që ky bust këtu të jetë vend ku edhe gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për historinë e tij, historinë e ndërtimit të miqësive në mes të dy popujve tanë dhe do të inspirohen për kontributin dhe dedikimin që duhet të kemi secili nga ne për vendin tonë”, tha kryeministri Hoti.
Ndër të tjera, kryeministri Hoti veçoi se Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe presidentin Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me SHBA-në.
“Vërtet është nder i veçantë për mua që sot së bashku e zbulojmë këtë bust. Le të mbetet ky vend, kjo simbolikë e nderit e miqësisë së përhershme e popullit të Kosovës me popullin e SHBA-së”, përfundoi kryeministri Hoti.