Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar Klubin Futbollistik “Llapi” në Podujevë, i cili është një simbol i krenarisë dhe talentit.
Haradinaj ka thënë se AAK gjithmonë e ka pasur prioritet sportin dhe sportistët.
“Aleanca sportin e ka pasur gjithmonë prioritet. Mundësinë për zhvillim dhe stabilitet financiar klubeve sportive i kemi dhënë përmes Ligjit për sponzorizim në sport, i miratuar në qeverisjen time. Jam i kënaqur që sot vizitova Klubin Futbollistik Llapi në Podujevë, i cili është një simbol i krenarisë dhe talentit. Që nga themelimi i tij në vitin 1932, KF Llapi ka qenë djepi i shumë futbollistëve të shkëlqyer, duke përfshirë legjendën e paharruar Fadil Vokrri. Presidenti i Klubit Tahir Batatina, me punë të jashtëzakonshme ka ngritur klubin në nivele të larta profesionale, duke arritur pjesëmarrjen në garat evropiane. Kjo tregon potencialin e madh që ka sporti ynë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj është zotuar se do t’i mbështes kërkesat e tyre përfshirë edhe investimet në infrastrukturë.
“Kosova ka nevojë për më shumë vëmendje ndaj sportit dhe të rinjve tanë. Prandaj, premtova se në çfarë do kapaciteti e përgjegjësie do të jemi unë e Aleanca në qeverinë e ardhshme, do të mbështesim kërkesat e tyre, përfshirë investimet në infrastrukturë, e pse jo, për ta shndërruar Podujevën në vend ku mund të mbahen edhe ndeshje ndërkombëtare”, është shprehur Haradinaj.