Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka takuar strukturat e Gruas nga Klina dhe Prizreni.
Haradinaj ka thënë se qeverisja e AAK-së në Komuna, është shembulli se si duhet të jetë fuqizimi i gruas në vendimmarrje.
“Gratë e Klinës dhe të Prizrenit dëshmuan edhe një herë se janë forcë e madhe transformuese për Kosovën. Në takimet e sotme me to, ndava vizionin tonë për një Kosovë ku gratë nuk janë thjesht përfituese të kuotave, por bartëse të vërtetë të ndryshimit dhe zhvillimit. Me krenari shoh se në Klinë, nën udhëheqjen e Aleancës dhe kryetarit Zenun Elezaj, kemi shembullin më të mirë se si duhet të jetë përfaqësimi dhe fuqizimi i gruas në vendimmarrje. Ndërsa në Prizren, qytetin tonë historik e të kulturës, gratë kanë dëshmuar vazhdimisht se janë ruajtëse të vlerave më të mira dhe njëkohësisht bartëse të progresit. Ky model duhet të shtrihet në mbarë Kosovën, ku gratë të jenë pronare të barabarta të pasurisë, të kenë qasje të plotë në kredi dhe subvencione shtetërore, dhe të gëzojnë mbështetje reale për familjet e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Kosova do të jetë vërtet fituese vetëm kur çdo grua të jetë e barabartë jo vetëm në letër.
“Koalicioni për Kosovën Fituese me numër 137 ka program konkret për gratë – nga paga minimale 500 euro për nënat me 3 e më shumë fëmijë, deri te mbështetja financiare për familjet e reja. Kosova do të jetë vërtet fituese vetëm kur çdo grua të jetë e barabartë jo vetëm në letër, por në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe ekonomike”, është shprehur Haradinaj.