
Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për largimin e shumicës së masave kufizuese. Këto vendime kanë ndikuar që vendi t’i rikthehet normalitetit, teksa kanë rifilluar punën shumë biznese, por jo edhe dasmat e klubet e natës.
MSH kishte prezantuar planin me tri faza për hapjen e ekonomisë, i cili ahengjet i pozicionoi në fazën e tretë, por deri më tani nuk kanë rifilluar aktivitetin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se kufijtë, aeroportet, ahengjet, banjat, panairet, pishinat dhe klubet e natës janë veprimtari të cilat rivlerësohen gjatë fazës së tretë, që ka filluar me 1 qershor.
Sipas Hotit, çdo vendim për hapjen e tyre duhet të shoqërohet me analizë të situatës epidemiologjike dhe rekomandime të IKSHPK-së.
“Kufijtë, aeroportet, ahengjet, banjat, panairet, pishinat dhe klubet e natës janë veprimtari të cilat rivlerësohen gjatë fazës së tretë, që ka filluar me 1 qershor. Çdo vendim për hapjen e tyre duhet të shoqërohet me analizë të situatës epidemiologjike dhe rekomandime të IKSHPK-së. Në momentin që do të ketë vendim për këto veprimtari, do të njoftohen edhe subjektet respective, edhe publiku”, ka thënë Faik Hoti për Gazetën Sinjali.
Në vendin tonë deri sot janë infektuar në total 1 mijë e 269 persona, prej tyre 912 janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.