SHKRUAN BEN BLUSHI
Sulmi mizor që kreu Hamasi gjatë kësaj jave në Izrael po e ndan botën sërish në dy pjesë.
Një palë dënojnë dhunën ndaj civilëve të pafajshëm, ndërsa pala tjetër mendojnë se terrori i Hamasit është i justifikuar për shkak të veprimeve pushtuese të Izraelit në vite.
Por siç është ndarë bota, mes Izraelit dhe Hamasit, janë ndarë dhe shqiptarët. Disa nga reagimet e tyre në rrjete sociale, përfshi dhe në faqen time në ‘facebook’, e cila në një moment u mbush me fotografi terroristësh të lumtur, ishin të pështira dhe të pavend, aq sa në një moment mu duk sikur jetoja në Rripin e Gazës dhe jo në Shqipëri.
Gaza është një rrip toke në jug të Izraelit, në kufi me Egjiptin dhe paralel me detin, jo më shumë se 365 kilometra katrorë në të cilët jetojnë 2 milionë palestinezë. Bëhet fjalë për një drejtkëndësh sa sipërfaqja mes Velipojës dhe Shëngjinit që shtrihet në brendësi të tokës nga Shkodra në Lezhë. Imagjinoni sikur në këtë sipërfaqe të jetonin 2 milionë banorë të cilëve nuk i lejohet të dalin që aty, u hiqet uji, u kufizohen ushqimet, u ndërpritet energjia, u bllokohet deti dhe qielli dhe herë pas here u sulmohen shtëpitë me raketa.
Kjo është Gaza. Një burg i madh në natyrë.
Palestinezët që jetojnë aty janë të dënuar të mos lëvizin nga ky kafaz i hekurt. Atyre nuk u lejohet të përdorin ajrin për të fluturuar dhe detin për të peshkuar. Deti i Gazës është i patrulluar nga anijet ushtarake izraelite të cilat i lejojnë peshkatarët të lundrojnë deri në 5 kilometra largësi për të kapur peshq. Ndryshe i mbysin, i vrasin ose i burgosin siç ka ndodhur në dhjetëra raste.
Unë e kam parë me sytë e mi këtë kafaz njerëzor, në të cilin burrat jetojnë për të luftuar dhe gratë për të lindur burra të tjerë. Meqenëse këtyre njerëzve u është marrë gjithçka, atyre u ka mbetur vetëm një gjë: urrejtja. Mbi urrejtjen për Izraelin është themeluar Hamasi, një organizatë politike e cila prej vitesh armatoset duke kërcënuar jo vetëm Izraelin por edhe gjysmën tjetër të Palestinës që qeveriset nga një parti më e butë palestineze.
Kjo urrejtje e pafre është arma të cilën terroristët e Hamas e përdorën këto ditë për të masakruar disa qindra civilë izraelitë, shumë prej të cilëve po kërcenin gjatë një festivali tradicional, dedikuar miqësisë, dashurisë dhe lirisë se pakufizuar. Ky festival që quhet Supernova u kthye në një varr masiv ku 260 djem dhe vajza u vranë dhe u dhunuan njëkohësisht në sy të njëri-tjetrit, ndërsa shumë të tjerë u rrëmbyen për t’u mbajtur në bodrumet e fshehta të Gazës.
Të vrarët deri tani janë afër 1000.
Kjo masakër e kryer me gjak të ftohtë u konsiderua nga shumica e vendeve një akt terrorist për të cilin nuk mund të ketë dy qëndrime. Nëse rezistenca e palestinezëve ndaj Izraelit është legjitime, vrasja e njerëzve që kërcejnë nën tingujt e muzikës është terrorizëm. Prandaj Hamasi është një organizatë terroriste çka nuk mund të vihet në diskutim.
Të jesh kundër Hamasit nuk do të thotë detyrimisht të jesh pro Izraelit. Mund të jesh kundër të dyjave siç nuk mund të jesh kurrë pro të dyjave. Ndërkohë, të jesh kundër terrorizmit nuk do të thotë të jesh kundër të drejtës së Palestinës për të ekzistuar. Nga ana tjetër, të jesh pro të drejtës së Izraelit për të mbrojtur qytetarët e vet nuk do të thotë të jesh kundër të drejtave të palestinezëve. Këto janë gjëra të ndara dhe shumë të qarta të cilat i ngatërron vetëm dikush që orientohet nga urrejtja fetare, racore ose etnike.
Prandaj komentet e shumë shqiptarëve që kanë mbështetur Hamasin edhe pasi kanë parë vrasjet masive, rrëmbimet e vajzave dhe të fëmijëve janë të frikshme dhe dëshpëruese. Ato të detyrojnë të mendosh me shqetësim për shqiptarët.
Edhe më e shëmtuar bëhet kjo tendencë justifikuese, kur vjen nga shqiptarë të Kosovës të cilët simpatizojnë Hamasin për shkak të fesë. Terroristët e Hamasit nuk gjykohen se janë myslimanë, por se janë terroristë. Ata janë edukuar si terroristë dhe kjo shpjegon të qeshurat e tyre kur mbyllin pas hekurave fëmijë të rrëmbyer nga prindërit, apo kur i detyrojnë plakat izraelite të mbajnë kallashnikovë mbi kurriz. Ata kënaqen kur vrasin dhe urrejtja e tyre nuk ka lidhje me fenë, por me mënyrën e tyre të jetesës.
Shqiptarët e Kosovës ishin objekt i një sulmi terrorist disa ditë më parë dhe prandaj gjithë bota u solidarizua me ta kur një grup terrorist serb vrau një polic dhe ndoshta do kishte vrarë edhe më shumë shqiptarë nëse nuk do ishte neutralizuar. Megjithëse serbët e këtij grupi janë të krishterë ata nuk dallojnë fare nga militantët e Hamasit që janë myslimanë. Ata janë njëlloj. Paramilitarë që vrasin për të frikësuar shtetet dhe shoqëritë. Serbët janë sjellë njëlloj si Hamas, gjatë masakrave të vitit 1999 në Kosovë. Kanë qeshur duke vrarë. Bota demokratike nuk i toleroi meqë ishin të krishterë, por i ndëshkoi se ishin terroristë.
Edhe shqiptarët kanë pasur një organizatë ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e vendit të vet. Ajo ishte UÇK. Por UÇK nuk luftoi me civilët, nuk i sulmoi ata, nuk rrëmbeu serbë nëpër koncerte, nuk mbylli në kafaz fëmijë të pafajshëm, nuk dhunoi pleq dhe nuk përdori pengje për të negociuar. Vetëm kujtimi i UÇK duhet t’i bindë shqiptarët dhe sidomos kosovarët, se çdo solidarizim me Hamasin është një përdhosje e luftës së tyre të drejtë.
Prandaj nuk na takon të jemi me Hamasin, këtë monstër që ka lindur në Gaza, por është ushqyer nga urrejtja e popujve të ndryshëm për njëri-tjetrin. Hamasi është aleate e gjithë armiqve tanë historikë, qofshin këto ndjenja, paragjykime, taktika apo shtete.