×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata lëshon urdhëresë që Shukri Buja të dërgohet me forcë në seancë

    FrontOnline
    09 Shtator 2020

    Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka lëshuar urdhërese për sjellje me detyrim në gjykatë, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja

    Deri te ky vendim erdhi, pasi që Buja nuk u paraqit në seancën gjyqësore e cila ishte paraparë të mbahej të mërkurën nga ora 9:00, ku ai së bashku me nëntë persona tjerë po akuzohen për korrupsion në rastin e njohur si “Ferronikeli”.

    Në seancë nuk u paraqit as i akuzuari tjetër në këtë rast, Nebih Zeqiri. Edhe për të, gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim.

    Mbrojtësi i Bujës, avokati Arianit Koci, tha se i mbrojturi i tij ka pasur simptoma të sëmundjes Covid-19 dhe për këtë arsye, sot në mëngjes ka shkuar në spital.

    Kurse, për të akuzuarin Zeqiri, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, tha se ka marr një njoftim nga ai, përkatësisht një fletëlëshim nga një spital si arsyetim për mungesë në seancën e sotme.

    Mirëpo, këto arsyetime për mungesën e të akuzuarve, gjyqtari i vlerësoi si të paarsyetuara.

    “KTGJ këto mungesa i trajton si te paarsyetuara dhe kundër te njëjtëve, gjykata do te lëshoj urdhërese për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës”, tha gjykatësi Kalludra.

    Lidhur me këtë vendim për lëshim të urdhëresës për sjellje me detyrim, reagoi avokati Koci, i cili tha se edhe seanca e kaluar në këtë rast ishte shtyrë shkaku se një anëtar i trupit gjykues kishte qenë me Covid.

    Gjyqtari Kalludra, i njoftoi palët që të presin në objektin e gjykatës deri në orën 10:30, dhe varësisht nga veprimet e Policisë dhe mundësisë së vazhdimit të sigurimit të të akuzuarve, seanca mund të vazhdojë.

    Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

    Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

    Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

    Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

    Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

    Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

    Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

    Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.

    Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

    Në rigjykim, Apeli e ka udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

    Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

    Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

    Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

    I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.

    I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

    Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

    Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi/

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj e ka komentuar lajmin se Blerim Pacolli, vëllai i kryetares së Komisionit Parlamentar...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Zyra e kryeministrit Albin Kurti e ka bërë të ditur agjendën finale për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Djali i Shkëlqen Haradinajt, Luan Haradinajt ia ka uruar ditëlindjen axhës së tij të ndjerë, Luan Haradinajt. Sot Luan Haradinaj do t’i...
    Të tjera
    Lajme17 Nëntor 2024
    Trusti Pensional i Kosovës ka njoftuar se përkohësisht janë jashtë funksionit uebfaqja dhe shërbimi online eTrusti. Kjo për shkak të një problemi...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj, ka reaguar pas raportimit se kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi Fitore Pacolli ka ndikuar...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, po kërkohen të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë në Gjermani. Haradinaj...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sot ka pasur një takim me kryetarin dhe kryesinë e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.