Shkruan Ben Andoni:
Atentati i disa orëve më parë ndaj ish-Presidentit Trump në përgatitjet për rikthimin në një mandat të dytë presidencial e ka tronditur seriozisht botën demokratike. Shqipëria, përmes të gjithë zyrtarëve të saj të protokollit shtetëror, qysh nga Presidenti Begaj, Kryeministri Rama dhe kryetarja e Kuvendit Nikolla i kanë shprehur solidaritet dhe e dënuan ashpër sulmin. Anipse, ky nuk mund të quhet ndonjë rast i veçuar për SHBA-të, pasi në historinë e vet ka disa atentate ndaj presidentëve të saj, madje disa me pasoja fatale. Veçse sulmi ka tronditur botën për nivelin e demokracisë dhe sfidat e saj në vendin dikur model absolut të demokracisë. Jo sepse edhe në SHBA nuk ka pasur reagime të forta kundër atentatit që nga Presidenti Biden e me radhë, por për faktin se ka nxjerrë në pah ndarjen e madhe politike në vend. Mesazhi i paradokohshëm i presidentit aktual amerikan se: “Trump është një kërcënim i vërtetë për këtë komb. Ai është kërcenim për lirinë tonë. Ai është kërcënim për demokracinë tonë. Ai është fjalë për fjalë një kërcënim për gjithçka që Amerika përfaqëson”, tregon realisht shumë se ku mund të çojë gjuha e urrejtjes. Atë, që edhe në këto momente, tregon se ndarja në SHBA është e thellë. Media amerikane po e thekson si fenomen. Senatori J.D. Vance, dikur një ish-rival i Trump, e fajësoi incidentin duke e gjetur një burim direkt e në retorikën e z. Biden: “…nuk është vetëm një incident i izoluar. Premisa qendrore e fushatës së Bidenit është se Presidenti Donald Trump është një fashist autoritar, që duhet ndalur me çdo kusht. Kjo retorikë çoi drejtpërdrejt në tentativën për vrasjen e Presidentit Trump”, – shkroi ai. Mbase nuk janë momentet për të treguar nga ana tjetër, pjesën e gjuhës së urrejtjes së përdorur nga z. Trump, por një gjë kuptohet mirë se: SHBA-të po përjeton pasojat e thella të ndarjes politike dhe gjuhës së urrejtjes.
“Zoti e bekoftë Amerikën!”, e artikuluar nga Trump pas atentatit, motoja e madhe që thuhet në fund të çdo fjalimi politikanësh të saj nuk është se ka ngritur tashmë atë entuziazëm, që amerikanët dhe të gjithë mbështetësit e tyre në botën demokratike presin nga ky vend. Shqiptarët e kanë përjetuar, sipas mënyrës së tyre, atentatin, por në thelb duhet të na bëhet mësim për pasojat e tmerrshme të gjuhës së urrejtjes. Aq e madhe është kjo sot në SHBA sa ka bërë përshtypje fakti, sesi kombi i madh nuk gjendet më në atë frymë të dikurshme të vitit 1981, kur u tentua të vritej ish-Presidenti Ronald Reagan. Madje, për këtë frymë, nuk ndihu edhe mënyra shumë civile sesi reaguan Presidenti Biden dhe mëtuesi Trump, që në fakt treguan një lloj fryme mirëkuptimi në mes të kësaj tollovie. “Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si një komb për ta dënuar atë”, – ishte mesazhi që përcolli ekipi i Biden, por që sërish duket i pamjaftueshëm në këto situata.
Pak parantezë: (Gjuha e urrejtjes përkufizohet nga Fjalori i Kembrixhit si “fjalë publike që shpreh urrejtje ose inkurajon dhunën, ndaj një personi ose grupi bazuar në diçka të tillë si raca, feja, seksi ose orientimi seksual”).
Shqipëria post ‘90 është e njohur për gjuhën e urrejtjes, përcjellë veçanërisht nga politikanët në forma nga më të ndryshmet. Kemi pasur vrasje të niveleve të larta (jo në majën e protokollit shtetëror), por deputetë dhe individë të ndryshëm janë përballur deri me humbje jete. Akoma sot e kësaj dite s’kemi motivet kryesore zyrtare pse janë vrarë disa syresh, si Azem Hajdari. Ashtu, si masat e marra në parlamentin e sotëm janë krejt të pamjaftueshme për të kultivuar një kulturë demokratike debati dhe mos nëpërkëmbje të PS dhe PD-së mesveti. Pak vite më parë, ish-kryeministri Berisha, në një nga periudhat më të këqija të vendit (situatën e COVID-19), do të shprehej në rrjetet sociale (Facebook) me një status, duke e quajtur ndër tjera pasuesin e tij Rama, deri edhe “skizofren sadist”, por duke e nënkuptuar edhe si konsumues substancash narkotike, që janë të palejuara në Shqipëri.
“Kjo monstër që për vete mrizon nën hijet e pishave dhe pemëve në Surrel, me një frazë në ‘Facebook’, pasi heq tri viza droge, ju ndrynë ju brenda, mbyll për ju parqet e qyteteve, plazhet e deteve dhe liqenjve të vendit, rrugët dhe sheshet e qyteteve”, – shkroi asokohe Berisha (Periskopi). Në fakt, kjo përcillte një gjuhë jo më të ashpër, që përdori ndaj ish-kryeprokurores Rama dhe individëve të tjerë, duke i fyer hidhur me një gjuhë rruge. Kryeministri Rama do ishte më “elegant” në fushatën e tij zgjedhore të zgjedhjeve 2021, por njësoj i hidhur me togfjalëshat dhe mbiemrat fyes, kur krahasonte kandidatët e formacionit të tij për deputetë me ata të PD-së. “Për rreth 40 minuta, (në atë prezantim), fotografitë e kandidatëve të opozitës u nxorën jashtë kontekstit, në një sfond të papërshtatshëm për kundërshtarët politikë deri në përçmim, përmes krahasimeve si: deputetë me ‘faqore’, me ‘presh’, apo etiketime të llojit ‘simitja’ e Xhaferrit (Ferdinand), ‘gërrneta’ e Mesilës (Doda), ‘barku parllak’ i Palokës (Edi), dikush tjetër foto me gjuhën jashtë, apo i zhveshur në plazh” (Faktoje.al, 2024).
Në një prononcim të tij, të para pak javëve, lidhur me fenomenin, drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) do të shprehej se: “Niveli i ligjërimit politik ndërvaret nga niveli i elitave politike (elitat tona politike kanë formim të para viteve ‘90 kur kundërshtari politik shihej si armik dhe qëllimi politik ishte eliminimi personal i tij), varet nga niveli i demokracisë (Shqipëria është vend hibrid d he me natyrë të personalizuar të institucioneve dhe jetës politike) dhe nga kultura politike (konflikti, sulmi personal, gjuha e ashpër preferohet dhe është ushqim për militantët e median, pra politikanët nuk kanë presion nga jashtë tyre për të ndryshuar, përkundrazi pëlqehen dhe kanë ndjekës fanatikë për shkak të kësaj gjuhe që përdorin). Për sa kohë politika bazohet në qëllimin e vetëm fitorja e pushtetit dhe mbajtja e tij, dhe për sa kohë pushteti identifikohet me liderin, këta të fundit shohin kërcënim për pushtetin dhe mirëqenien personale çdo kritikë, çdo zë kundër…”, – e përmbyllte Afrim Krasniqi prononcimin e tij për “Faktoje.al”.
Në raportin “Parlamenti që (s)duam: Bilanci parlamentar 2023. Gjetje dhe rekomandime”, përgatitur nga ISP, tipar dallues i sesionit parlamentar ishte gjuha e ashpër dhe denigruese në ligjërimin parlamentar, incidentet e shumta dhe fizike, si dhe shifra rekord e penaliteteve të deputetëve, (63 në dy muaj), më e larta në të gjithë historinë e parlamentit prej vitit 1924.
“Dhuna verbale dhe denigruese u përdor kryesisht nga politikanët kryesorë, drejtues të opozitës dhe të mazhorancës, të cilët vijuan të jenë katalizatorët kryesorë të konfliktualitetit politik”, do nënvizohej në raport.
Në fund, ashtu si media amerikane që tregoi se veshi i gjakosur i Trump do të shërbejë si një metaforë për gjendjen e plagosur dhe të papërpunuar të politikës amerikane, për Shqipërinë fatkeqësi është se nuk nxjerrim dot mësime, se ku të përcjell gjuha e dhunës, ndoshta edhe tani vetëm 8-9 muaj para zgjedhjeve. “Zoti e bekoftë Amerikën”, në këto momente, për ne duhet të jetë “Zoti e shpëtoftë Shqipërinë”, sepse gjuha e dhunës është ushqimi më i hidhur për demokracinë e kohës sonë (Homo Albanicus).