
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Albin Kurti e ka quajtur të paarsyeshëm përdorimin e reciprocitetit si instrument politik. Ai ka përmendur dy “gabime” të Kurtit rreth tarifës dhe reciprocitetit.
“E para ishte sjellja arbitrare karshi SHBA-së. Kërkuam shpjegime nga Kurti, por nuk na dha. E dyta ishte vendosja si instrument politik, apo deklarimi si instrument politik i reciprocitetit”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, masat e ndërmarra nga Kurti në këtë drejtim ishin “tipike administrative”.
Teksa e ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, ai ka thënë se është dashur të veprohet “në interes të shtetit të Kosovës”.
“Orientim primar është ruajtja e partneritetit strategjik me partnerët tanë, me të cilët duhet ta arrijmë sigurinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Gashi është pyetur se përse termi “reciprocitet” ka qenë i përfshirë në marrëveshje.
“Është marrëveshje politike që përfshin vullnetin e palëve, për ta trajtuar një çështje politike”, është përgjigjur ai.
Sipas Gashit, kishte angazhim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që tarifa të hiqet, pasi që ajo “binte ndesh” me konceptin evropian.
Sa i përket reciprocitetit, Gashi ka thënë se “nuk mund të ketë kundërveprim, pa pasur veprim”.
“Çështja e masave reciproke nuk duhet të shndërrohet në veprim politik dhe Kurti bëri pikërisht të kundërtën. Ne për katër vitet e ardhshme u pajtuam që do të qeverisim mbi disa shtylla dhe njëra ndër to ishte se kemi qasje reciproke, por kjo nuk nënkupton veprime politike”, ka thënë ai në KTV.
Gashi e ka quajtur “të pavërtetë” se s’ka pasur sukses në luftën kundër korrupsionit.
Ai ka thënë se LDK-ja ka propozuar në programin e vet të ketë reformim të drejtësisë.
I pyetur se përse një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë, ai ka thënë se “kanë ndodhur disa procese”.