Nijazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, ka thënë se vlera e pensioneve në Kosovë është e mjerueshme dhe e pamjaftueshme për të mbijetuar.
“Pensionet janë në vlera të mjerueshme, në vlera të pamjaftueshme që të mund të mbijetojmë, por megjithatë më mirë pak se hiq, por ne jemi të privuar nga kjo e drejtë që 24 vite dhe nuk është ndonjë mrekulli që e kanë marrë këtë vendim, dhe mendoj që Qeveria është vonuar”, është shprehur Gashi për Front Online.
Ai thotë se ka pensionistë që si shkak i vonimit të këtij vendimi janë dëmtuar edhe për shkaqe të tjera.
“Një numër mjaftë i madh i pensionistëve janë që kanë diplomuar në vitet 90-ta dhe nuk iu njihet statuti i të ngriturit në fakultet që është një rang pak më i lartë se me shkollë të mesme, dhe ata edhe pse kanë punuar me fakultet marrin rroga si me shkollë të mesme sepse për pensione nuk ua njohin diplomat, kurse për punësim iu kanë njoft. Pastaj janë invalidët e luftës që janë invalid dhe në momentin që ai pensionohet, sa ka qenë në punë ka marrë edhe invalidin edhe e ka marrë rrogën kurse kur të del në pension i ndalet pensioni invalidor”, ka thënë kryetari Gashi.
Për heqjen e kushtit që të ketë 15 vjet stazh pune për të përfituar pension, Gashi ka pohuar se këtë kërkesë e kanë pasur që nga paslufta.
“Kjo kanë thënë këta, por ne këtë e kemi thënë që nga pas lufta në kontinuitet duke thënë që janë dëmtuar me këtë kriter dhe shyqyr që pas 24 vite dikujt i ra në mend për neve”, thotë ndër të tjera Gashi.