Ekonomia e Kosovës shënoi një rritje prej 7.5 % në 2021-n.
Kështu ka vlerësuar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e tij për Kosovën.
E kjo rritje vjen pas tkurrjes prej 5.3 për qind – që ndodhi shkaku i pandemisë – dy vjet më herët.
Si faktorë që ndikuan për së miri, përmendet lëvizshmëria e shtuar, politikat fiskale e mbështetja e jashtëzakonshme e diasporës.
Krahas tyre edhe numri i lartë i personave të vaksinuar kundër COVID-19, gjë që pamundësoi mbylljen e vendit.
Konstatimin në përgjithësi të organizatës ndërkombëtare po e shohin si real ekonomistët kosovarë.
Safet Gërxhaliu, për Front Online, tha se përveç rritjes së eksportit dhe importit – në rritjen ekonomike ka ndikuar edhe eksportimi i shërbimeve digjitale të kriptovalutave, veprimtari kjo e cila ditë më parë u ndalua nga Qeveria e Kosovës.
“Raporti i Bankës Botërore por edhe FMN-së është i përafërt dhe në këtë drejtim kontributin më të madh e ka dhënë në rritjen ekonomike, rritja e importi i cili në vitit 2021 ka shënuar një rekord më tepër se 4 miliard e 700 milion euro por në të njëjtën kohe kemi edhe rritje të eksporteve të Kosovës dhe kuptohet se edhe diaspora ka dhënë kontribut në këtë rritje ekonomike. Krejt kësaj duhet t’i shtohet edhe eksporti i shërbimeve digjitale për kriptovaluta, të cilin ditë më parë e ndaloi Qeveria e Kosovës”, thotë Gërxhaliu për Front Online.
Ndërsa Mustafë Kadriaj, thotë se pavarësisht rritjes ekonomike nuk është ngritur mirëqenia e qytetarëve.
“Natyrisht që në vitin 2021 u liruan sado pak masat anti covid që ka rezultuar në rritjen e aktivitetit biznesor në vend dhe kjo rritje natyrisht është më e madhe se vitin 2020, por nuk ka vend për ekzaltim për faktin qe nuk është ngritur mirëqenia tek qytetari”, theksoi ai për Front Online.
Këtë pretendim, ai e bazon në moshapjen e vendeve të reja të punës.
“Sado që është kjo rritje ekonomike nuk ka rezultuar në rritje të punësimit dhe mirëqenien pra këtu shihet dështimi i Qeverisë qe nuk ka marrë masa që këtë rritje ekonomike te kthen në zhvillim ekonomik ku do ndikonte në punësim dhe mirëqenie dhe si rezultat kemi gatishmërinë për të dalur jashtë vendit”, deklaroi ai për Front Online.
FMN-ja, mes tjerash, në raportin e saj tha se inflacioni në vitin 2021 në Kosovë parashikohet të jetë rritur në më shumë se 5 për qind (nga viti në vit) për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. /Front Online /