
Me 15 mars të këtij viti ishte e paraparë që të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune, mirëpo, pas përhapjes së Coronavirusit në Kosovë, u pamundësua ky proces.
E për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve nuk është caktuar ndonjë datë e re, teksa komuna tanimë është në duart e nënkryetarit Nexhmi Rudari.
Për Front Online foli kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu, i cili tha se është i gatshëm që ta vazhdojë procesin aty ku ka mbetur.
Por, thotë se duhet pasur parasysh edhe situatën me Covid-19.
“Tani jemi në kohë të pandemisë, ju e dini që është në pyetje gjendja shëndetësore. Janë organet kompetente ato që vendosin për mbajtjen e zgjedhjeve. Kurdo që ato vendosin do të jemi të gatshëm që të vazhdojmë aty ku kemi mbetur”, ka thënë Fetahu për “Front Online”.