Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka rritur shpenzimet për “lëmoshat”. Në anën tjetër i ka ulur shpenzimet në fushat tjera, shëndetësi e arsim, raporton “Front Online”. Kjo është pasqyra që del kur krahasohet periudha gjashtë muajshe, janar – qershor e vitit 2022 me atë të vitit paraprak, 2021. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave del se 34.5 % e investimeve totale të Qeverisë për vitin 2022 kanë shkuar për skemat sociale.
Sipas të dhënave të MFT-së, qeveria më 2020 kishte shpenzuar mbi 258 milionë euro për asistencat sociale gjatë periudhës janar – qershor, kurse 275 milionë gjatë 2021-s. Shuma u rrit ekstremisht shumë në vitin aktual, 2022. Shteti harxhoi mbi 358 milionë euro vetëm në gjashtë muajt e parë për skemat sociale, raporton “Front Online”.
Ndërkohë, situata qëndron ndryshe në shëndetësi.
Në këtë fushë vërehet një rënie e shpenzimeve nga ana e Qeverisë, raporton “Front Online”.
Përderisa në periudhën, janar – qershor 2022, u harxhuan 109 milionë euro. Në atë 2021, mbi 120 milionë.
Më mirë s`janë punët as në arsim.
Qeveria harxhoi rreth 160 milionë euro më 2021, kurse uli shpenzimet për 10 milionë një vit më pas më 2022. Megjithatë, përdallim prej 2020-s kur u harxhuan 132 milionë për arsim, në 2021-n u rritën shpenzimet për gati 18 milionë në këtë fushë. Kjo është tabela për periudhën janar – qershor, raporton “Front Online”.
Ndërkohë, Qeveria në total nga buxheti ka harxhuar mbi 1 miliardë euro gjatë periudhës janar – qershor 2022./“Front Online”.