Burimi: The Financial Times, Gideon Rachman.
Bizneset e mëdha dhe miliarderët zakonisht shmangen nga polemikat politike. Nëse kanë pushtet, preferojnë ta ushtrojnë në hije.
Elon Musku është ndryshe. Javët e fundit ka mbështetur Donald Trumpin dhe ka zhvilluar një intervistë të lehtë me të në X, në platformën e mediave sociale të cilën ai e zotëron. Musku është gjithashtu i përfshirë në një grindje të ashpër publike me Gjykatën Supreme të Brazilit, e cila javën e kaluar e ndaloi X-in. Kohët e fundit ai ka pohuar se lufta civile është e pashmangshme në Britani, ndërsa iu përgjigj arrestimit në Francë të Pavel Durovit, themeluesit të Telegram-it, duke postuar fjalët: “Është viti 2030 në Evropë dhe ti do të ekzekutohesh për pëlqimin e një imazhi”.
Pronësia në X ia ka dhënë Muskut një megafon masiv për të transmetuar pikëpamjet e veta. Por, fokusimi në platformën e tij të mediave sociale errëson shtrirjen dhe burimin real të fuqisë së tij gjeopolitike.
Është kontrolli në SpaceX, Starlink dhe Tesla ato që ia kanë dhënë Muskut një rol qendror në luftën në Ukrainë dhe në rivalitetin në rritje midis ShBA-së dhe Kinës; si dhe një rol të vogël në luftën në Gazë.
Në këto konflikte, roli i Muskut është më i paqartë sesa në luftërat kulturore të Perëndimit. Ndërhyrjet e tij të paparashikueshme – të kombinuara me fuqinë e madhe teknologjike dhe financiare – e bëjnë të jetë një raketë e pakontrolluar gjeopolitike, tekat e së cilës mund të riformësojnë çështjet botërore.
Kur Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, një nga qëllimet e saj të para ishte të eliminonte qasjen në internet. Duke ia ofruar Ukrainës qasjen në Starlink, në shërbimin e tij të internetit satelitor, në një moment kritik Musku i mbajti në luftë forcat e armatosura të vendit.
Megjithatë, më vonë gjatë konfliktit, Musku zgjodhi të kufizojë qasjen e Ukrainës në Starlink – në mënyrë që të pengojë çdo përpjekje për të sulmuar forcat ruse në Krime. Si justifikim, Musku përmendi rrezikun e një lufte të tretë botërore. Ky veprim – që ndërlidhej me promovimin e tij të një plani paqeje që përfshinte disa kërkesa ruse – e bëri Muskun shumë më pak popullor në Kiev. Por, pikëpamja e tij për rreziqet e një lufte të tretë botërore nuk ishte shumë më ndryshe nga ajo e administratës Biden.
Aty ku Musku dhe qeveria amerikane janë ndarë, është çështja mbi Kinën. Hapja e një fabrike masive të Tesla-s në Shangai në vitin 2019, në Uashington shihet si pengesë e madhe për qëllimin amerikan për të qëndruar përpara Kinës në teknologjitë kryesore të së ardhmes. Kina tani është prodhuesi kryesor në botë i automjeteve elektrike dhe zyrtarët amerikanë besojnë se prodhuesit kinezë kanë mësuar nga Tesla dhe nganjëherë kanë vjedhur.
Administrata Biden po përpiqet të bindë kompanitë kryesore të teknologjisë amerikane që të shpërndahen larg Kinës dhe u inkurajua kur Musku planifikoi një vizitë në Indi në fillim të këtij viti, me synimin për të hapur atje një fabrikë të Tesla-s. Por, në minutën e fundit, Musku e anuloi vizitën dhe u shfaq në Pekin. Në Kinë, ai njoftoi për intensifikimin e marrëdhënieve të Tesla-s me këtë vend. Fabrika e Shangait tani prodhon më shumë se gjysmën e Tesla-ve të prodhuar në nivel global.
Zyrtarët amerikanë vërejnë se kampionati i fjalës së lirë të Muskut – dhe gatishmëria për të fyer liderët botërorë – nuk shtrihet në Kinë. X prej kohësh ka qenë i ndaluar në Kinë, por Musku ka respekt të madh ndaj Xi Jinpingut, udhëheqësit diktatorial të Kinës.
Një tjetër udhëheqës i huaj që duket se ka marrë vlerësimin e Muskut, është Benjamin Netanyahu i Izraelit. Musku është akuzuar për promovimin e teorive konspirative antisemitike në X. Por, ishte propozimi i tij për të ofruar Starlink-un për organizatat e ndihmës në Gazë ajo që vërtet alarmoi qeverinë izraelite – e cila pretendoi se kjo do ta ndihmonte Hamasin. Pas një vizite në Izrael në vitin e kaluar, Musk ra dakord që ai të operonte me Starlink-un në Gazë vetëm me miratimin e Izraelit.
Administrata Biden është e shqetësuar për shumë nga aktivitetet e Muskut. Por, kompanitë e tij kanë aftësitë teknologjike të cilat i mungojnë edhe qeverisë amerikane. Për të mbajtur Ukrainën në internet, kur Musku u lëkund, Pentagonit iu desh të bënte kontratë me Starlink-un. Kur NASA dëshiron të transportojë astronautët drejt dhe nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, është SpaceX-i ai që këtë e bën të mundshme.
Nëse Musku shpeshherë flet dhe vepron thuajse është më i fuqishëm se çdo qeveri, mund të jetë për faktin se, në disa aspekte, kjo është e vërtetë.
Por, qeveritë e ruajnë një fuqi kyçe së cilës ende i shmanget Musku: aftësia për të bërë ligjet dhe zbatuar ligjet. Përplasja mes Brazilit dhe X-it – dhe arrestimi i Durovit në Francë – janë dy sinjalet se po i vjen fundi epokës së mosndëshkimit të mediave sociale në botën demokratike.
Kompanitë e mediave sociale kanë gjithnjë e më shumë gjasa të rregullohen si disa kompani të mediave të vjetra dhe kjo ka implikime të kushtueshme. Vitin e kaluar, Fox News u detyrua t’ia paguajë 787.5 milionë dollarë kompanisë Dominion Voting Systems, për të zgjidhur pretendimet për shpifje që rrodhën nga raportimi i Fox-it për teoritë konspirative në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
X-i është përplot me teori konspirative – disa prej tyre të promovuara nga vetë Musku. Me gjithë pasurinë e tij dhe shkëlqimin e tij të padyshimtë si inxhinier dhe sipërmarrës, Musku do të jetë subjekt i ligjeve të vendeve ku ai operon. Ky paralajmërim mund të jetë shkaku i zemërimit të tij gjithnjë e më të furishëm kundër Brazilit, Britanisë, BE-së dhe shtetit të Kalifornisë – dhe kujtdo tjetër që guxon t’i dalë para.
X nuk është burimi i fuqisë së Muskut. Por, kjo mund të shënojë pikën ku fuqia e tij është e kufizuar. /Telegrafi/