
Pandemia COVID-19 u ka rrezikuar seriozisht mbijetesën bizneseve në Kosovë.
Disa nga to, në mungesë të aktivitetit ekonomik, janë detyruar të largojnë punëtorët e tyre nga puna.
Por, pavarësisht një situate të këtillë, Ministri i Financave, Besnik Bislimi, përmes një shkrimi në Facebook, tha se papunësia është ulur për 6.6 % në këtë kohë pandemie.
Kjo deklaratë e tij nxiti reagimin e shumë pjesëtarëve të shoqërisë civile, të cilët e kundërshtuan atë, duke thënë se nuk ka mundësi të ndodhë diçka e tillë.
Ngjashëm mendon edhe vartësi i Bislimit, numri dy i Financave në Kosovë, Agim Krasniqi.
Veçse ky e kupton atë se çfarë ka dashur të thotë homologu i tij.
“Por unë besoj që është nxjerr te asaj që është një numër bukur i madh i punëtorëve që nuk kanë qenë më herët të deklaruar. Ata kanë punuar, por nuk kanë qenë të deklaruar si të të punësuar, por tash me këto masa i kemi thirr kompanitë që ata me i paraqit punëtorët që i kanë në punë, me i kompensu dy muaj, por duke i dhënë kontrata një vjeçare punëtoreve. Po besoj që është zvogëluar informaliteti”, tha ai.
Edhe njohësi i Ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se rënia e papunësisë ka qenë artificiale.
Bizneset, sipas tij, vetëm i kanë regjistruar punëtorët që kanë punuar pa kontrata, por nuk e kanë shtuar numrin e të punësuarve.
“Ka qenë një infuzion financiar që i ka shtyer bizneset t`i legalizojnë punëtorët. Por në momentin që fillon aktiviteti biznesor dhe nuk ka përkrahje nga shteti, bizneset, mund ta merrni me mend, duke mos pasur aktivitet ekonomik nuk ka mundësi bizneset ta shtojnë numrin e të punësuarve. Do të ketë ulje të punësimit”, theksoi ai.
Agjencinë e Punësimit të Kosovës, ditë më pare, ka bërë të ditur se është rritur numri i atyre të cilët po regjistrohen si të papunë pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
Numri i regjistruar i të papunëve në këtë agjenci ka arritur në mbi 110 mijë.
Implementimi i Ligjit të Pagave përcillet me rishikim të buxhetit