
Egjipti do të lejojë fluturimet dhe hyrjen e turistëve të huaj në disa zona turistike duke filluar nga muaji i ardhshëm, pasi vendi përpiqet të frenojë pasojat ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.
“Trafiku turistik dhe ai ajror do të rifillojnë në qytetet bregdetare më pak të prekura nga virusi, duke filluar nga 1 korriku”, deklaroi ministri i Informacionit, Osama Heikal.
Ai iu referua Hurghadas dhe Sharm el-Sheikut, që janë vendet më të famshme për pushuesit e huaj.
Njoftimi vjen një ditë pasi Egjipti deklaroi se turistët që mbërrijnë në aty me fluturime çarter do të përjashtohen nga tarifat e vizave deri në fund të tetorit, një hap ky që synon ringjalljen e turizmit, si burim kryesor i të ardhurave kombëtare. /atash/